Një frigorifer i transformuar në një vitrinë të vërtetë për shitjen e lëndëve narkotike është zbuluar nga policia në Bergamo të Italisë.
Një 23-vjeçar, shtetas italian me origjinë shqiptare, ka përfunduar në pranga, pasi iu gjetën rreth 15 kilogramë hashash dhe marihuanë.
Gjatë kontrollit në banesën e të riut, efektivët e policisë zbuluan një frigorifer ku lëndët narkotike ishin sistemuar në kavanoza të mbyllura hermetikisht, të ndara sipas llojeve dhe të pajisura me etiketa identifikuese.
Organizimi i tyre krijonte pamjen e një supermarketi të vogël droge.
Përveç lëndëve narkotike, policia sekuestroi edhe një numër të konsiderueshëm vaporizatorësh për cigaret elektronike, që dyshohet se përdoreshin për konsumimin e ekstrakteve narkotike, si dhe mbi 10 mijë euro para të gatshme.