Në Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Gjenevë, më 12 nëntor 2026, u mbajt një seancë informative mbi të drejtat pensionale të mërgimtarëve shqiptarë dhe përfitimet nga sigurimet shoqërore sipas marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës.
Takimi, me temën “Të drejtat tuaja në pension sipas Marrëveshjes për sigurimet shoqërore ndërmjet Zvicrës dhe Republikës së Kosovës”, kishte si qëllim të informonte bashkatdhetarët, përfaqësuesit e komunitetit shqiptar dhe qytetarët e interesuar për kushtet dhe procedurat e përfitimit të pensioneve në të dyja vendet.
Seancën e hapi konsullja e Përgjithshme e Kosovës në Gjenevë, Floreta Kabashi, e cila theksoi rëndësinë e informimit të vazhdueshëm të mërgimtarëve për të drejtat e tyre sociale dhe pensionale.
Juristja dhe përfaqësuesja e organizatës EPER, Luljeta Hajzeraj, shpjegoi se si funksionon sistemi zviceran i sigurimeve shoqërore dhe procedurat që duhet të ndiqen për realizimin e të drejtave pensionale.
Vëmendje e veçantë iu kushtua marrëveshjes për sigurimet shoqërore ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, e cila ka hyrë në fuqi më 1 shtator 2019.
Sipas kësaj marrëveshjeje, qytetarët e Kosovës mund të përfitojnë të drejtat nga sigurimi zviceran i pleqërisë dhe i të mbijetuarve (AHV/AVS), si dhe sigurimi i invaliditetit (IV/AI), nëse plotësojnë kushtet ligjore.
Berat Zhinipotoku, udhëheqës i Divizionit për Pensione të Jashtme në Kosovë, foli për kushtet për përfitimin e pensionit kontributpagues në Kosovë, dëshmimin e viteve të punës dhe procedurat që duhet të ndiqen kur qytetarët nuk disponojnë librezat e punës apo dokumentacionin e nevojshëm.
Një çështje e rëndësishme që u ngrit ishte detyrimi për deklarimin e të ardhurave dhe pensioneve pranë institucioneve zvicerane, në rastet kur ligji e kërkon një gjë të tillë.
Gjatë takimit u sqarua se përfitimi i një pensioni nga Kosova dhe një tjetri nga Zvicra nuk përbën shkelje ligjore.
Megjithatë, qytetarët duhet t’i respektojnë kushtet për përfitimin e secilit pension dhe detyrimet për deklarimin e të ardhurave, pasi mosdeklarimi mund të sjellë pasoja financiare dhe juridike.
Ky aktivitet u organizua me iniciativën e Luljeta Hajzerajt, në kuadër të programit “Âge et Migration” të EPER-it, me mbështetje nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës dhe në bashkëpunim me Konsullatën e Përgjithshme në Gjenevë.