Ivana Stradner Reagon ndaj Akuzave të Vuçiqit për Ministrinë e Jashtme të Serbisë

Ekspertja amerikane e çështjeve të sigurisë dhe Ballkanit, Ivana Stradner, ka reaguar ndaj pretendimeve që po qarkullojnë nga regjimi i presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, se ajo është kandidatja e ardhshme për ministre të Punëve të Jashtme të Serbisë.

Në një postim në platformën X, Stradner ka ironizuar këto akuzat, duke thënë se Vuçiqi publikisht e akuzon se paguhet nga Qeveria amerikane dhe e ashtuquajtura “Shteti i Thellë” për ta sulmuar atë, ndërsa mediat ruse, sipas saj, e kanë paraqitur si një agjente të inteligjencës amerikane. “Unë jetoj pa pagesë në kokën e Vuçiqit.

Regjimi i Vuçiqit po përhap gënjeshtra se jam ministrja e ardhshme e Jashtme e Serbisë.

Vuçiqi publikisht ka thënë se paguhem nga Qeveria amerikane dhe ‘Shteti i Thellë’ për ta sulmuar atë, ndërsa mediat ruse me sa duket më kanë promovuar në operatore të inteligjencës amerikane. Çfarë CV-je!”, ka shkruar ajo.

Stradner ka thënë me ironi se nuk ka ambicie për t’u bërë ministre e Jashtme e Serbisë, duke argumentuar se nuk do të dëshironte një pozitë ku puna kryesore do të ishte pjesëmarrja në fotografi diplomatike dhe paraqitja pranë flamujve.

Ajo ka deklaruar se e vetmja pozitë shtetërore që do ta konsideronte në Serbi do të ishte drejtimi i shërbimit inteligjent, me synimin për ta shpërbërë strukturën ekzistuese, për ta rindërtuar atë nga fillimi dhe për t’u vënë pas rrjeteve kriminale dhe grupeve të krimit të organizuar. “Praktikisht, për ta përfunduar punën që Zoran Gjingjiq nuk arriti ta përfundonte”, ka shkruar Stradner, duke iu referuar ish-kryeministrit serb, i cili u vra në vitin 2003.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *