Ish-drejtori i SHA ‘Posta e Maqedonisë së Veriut’, Jani Makraduli, ka hedhur poshtë akuzat për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar, pas ngritjes së kallëzimit penal nga Drejtoria e Policisë Financiare për detyrime të papaguara të kompanisë shtetërore ndaj dy kompanive private.
Makraduli thekson se faturat e kontestuara i takojnë një periudhe para emërimit të tij si drejtor dhe se gjatë mandatit të tij ka vepruar me ndërgjegje, ndershmëri dhe në përputhje me rregulloret ligjore.
Reagimi i tij vjen pas njoftimit nga Policia Financiare, që sugjeron se ai, gjatë kohës që drejtonte kompaninë shtetërore, nuk ka ndërmarrë veprimet e nevojshme për shlyerjen e një borxhi prej afro 19.3 milion denarë, ose rreth 314,000 euro.
Policia Financiare ka iniciuar procedura ligjore ndaj Postës së Maqedonisë së Veriut për shkak të mospërmbushjes së detyrimeve financiare ndaj dy kompanive, të cilat rezultuan në vendime gjyqësore që urdhëronin kompaninë shtetërore të paguante pothuajse 11 milion denarë, ose rreth 178,000 euro, në kamatë ndëshkuese.
Këto veprime, sipas Policisë Financiare, lidhen me periudhën nga viti 2021 deri në vitin 2022, kur Makraduli ishte Kryetar i Bordit të Drejtorëve të Kompanisë.
Nga ana tjetër, ai në një deklaratë për ‘Telma’ shprehet se ligjshmëria dhe mbrojtja e interesit publik ishin parimet që e udhëhoqën gjatë mandatit të tij.
Ai sqaroi se faturat e kontestuara nuk janë krijuar gjatë periudhës së tij në drejtim, por përfaqësojnë një situatë të trashëguar që ai e gjeti pas marrjes së detyrës.
Ai shtoi se brenda kompanisë kishte mosmarrëveshje për ligjshmërinë e pagesave të faturave.
Makraduli thekson se dokumentacioni tregon se ai kishte përkushtim për të gjetur një zgjidhje për detyrimet e kontestuara, por se nuk u arrit konsensusi për mënyrën e rregullimit të tyre.
Ai theksoi se mungesa e një kontrate prokurimi publik ishte një problem kyç që e komplikoi situatën.
Sipas tij, këto rrethana e penguan arritjen e një zgjidhjeje të përbashkët për pagesën e detyrimeve ndaj dy kompanive.
Ai pretendon se të gjitha veprimet e tij kishin për qëllim zgjidhjen ligjore të problemit të trashëguar dhe se nuk ndërmori asnjë veprim që do të shkelnin ligjin.