Kampanja “Dhuro Made in Kosova”: Promovimi i Produkteve Vendore për Festat e Fundvitit

Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit ka nisur kampanjën “Dhuro Made in Kosova” me qëllim të promovimit të produkteve vendore dhe rritjes së shitjes së tyre përmes platformave të tregtisë elektronike.

Ministrja Mimoza Kusari-Lila theksoi se kjo kampanjë vjen në prag të festave të nëntorit dhe atyre të fundvitit, kur qytetarët dhe diaspora zakonisht bëjnë blerje për dhurata.

Ajo njoftoi se tri platforma të njohura të tregtisë elektronike, Gjirafa, Foleja dhe Shopaz, janë angazhuar për të promovuar produktet vendore, duke i bërë ato më të qasshme për konsumatorët.

Kusari-Lila i ftoi edhe platforma të tjera vendore që t’i bashkohen kësaj nisme, e cila do të vazhdojë deri në fillim të vitit 2027.

Ministrja u bëri thirrje bizneseve dhe prodhuesve vendorë të aplikojnë për t’u angazhuar në këtë kampanjë përmes adresës elektronike të ministrisë. “Kur blejmë dhe dhurojmë një produkt Made in Kosova, nuk po i dhurojmë vetëm një dhuratë të thjeshtë.

Ne po dhurojmë një vend të ri pune për një të ri apo të re, po mbështesim një familje dhe po ndërtojmë një ekonomi më të fortë e më të qëndrueshme për të gjithë”, shprehu Kusari-Lila.

Ajo shtoi se synimi i kësaj kampanje është që produktet vendore të jenë më të qasshme për konsumatorët, përfshirë edhe diasporën, përmes platformave të tregtisë elektronike. “Përmes këtyre platformave, produktet vendore do të jenë vetëm një klikim larg çdo shtëpie në Kosovë, por edhe çdo qytetari të Republikës që jeton kudo jashtë vendit”, tha ajo.

Mërgim Cahani nga Gjirafa e vlerësoi këtë iniciativë si një mundësi të shkëlqyer për prodhuesit vendorë që të promovojnë dhe shesin produktet e tyre, duke theksuar se mbështetja duhet të vazhdojë edhe pas përfundimit të festave. “Iniciativa është shumë e mirë, pasi i lejon të gjitha kompanitë vendore dhe prodhuesit me i shfaqur produktet e tyre, sidomos për festat e fundvitit.

Por kjo nuk do të thotë që këto produkte duhet të mbesin vetëm për këtë periudhë.

Unë besoj që këto kompani mund të vazhdojnë t’i shesin dhe t’i promovojnë produktet e tyre përgjatë tërë vitit”, tha Cahani.

Ai shtoi se Gjirafa është e gatshme t’i ndihmojë bizneset që dëshirojnë të hapin dyqane në platformën e saj.

Ndërsa, Qëndresa Peja nga Foleja deklaroi se kjo kampanjë ka krijuar një hapësirë të veçantë për produktet vendore, duke ofruar mbështetje teknike e operacionale për prodhuesit. “Ne e kemi krijuar një hapësirë të dedikuar për produktet vendore dhe do të mundohemi që ato të jenë sa më të qasshme për klientët.

Përveç promovimit që do ta kemi me ‘Dhuro Made in Kosova’, ne do të mundohemi t’i mbështesim edhe në anën operacionale, ku ata mund të kenë vështirësi në regjistrim ose në adaptimin me mjedisin e tregut elektronik”, tha Peja.

Ajo theksoi se synojnë që produktet vendore t’i plasojnë edhe jashtë Kosovës. “Ne do të jemi bashkë me ta, do të punojmë së bashku dhe do të mundohemi që, përveç sheshjes në Kosovë, të plasojmë produktet edhe nëpër shtete të tjera, si Shqipëri, Maqedoni dhe tregje ndërkombëtare”, përfundoi ajo.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *