Gjatë kontrolleve të përforcuara të zhvilluara nga Ministria e Punëve të Brendshme në muajin shtator të këtij viti, janë regjistruar gjithsej 1,803 kundërvajtje në komunikacion.
Këto kontrollime kanë qenë të drejtuara ndaj shoferëve të biçikletave, mopedëve, motoçikletave, triçikletave dhe katërçikletave.
Pjesa më e madhe e kundërvajtjeve, përkatësisht 1,478, lidhen me mospërdorimin e helmetës mbrojtëse (kaskës).
Gjatë këtyre kontrolleve janë evidentuar gjithashtu 132 raste të veprës penale „drejtim i pakujdesshëm i automjetit motorik“, sipas nenit 297-a të Kodit Penal, ndërsa në përputhje me nenin 300-b të Kodit Penal, janë konfiskuar 88 motoçikleta.
Përveç këtyre, janë konstatuar edhe 5,034 kundërvajtje të tjera.
Numri më i madh i këtyre kundërvajtjeve është evidentuar në zonën e SPB Shkupit me 437 raste, pasuar nga SPB Manastirit me 233, SPB Velesit me 213, SPB Strumicës me 201 dhe SPB Tetovës me 168.
Njësia Mobile për Sigurinë e Trafikut Rrugor ka konstatuar 154 kundërvajtje, ndërsa të tjerat janë evidentuar në zonat e SPB Shtipit, SPB Ohrit dhe SPB Kumanovës.
Ministria e Punëve të Brendshme ka njoftuar se për të gjitha këto kundërvajtje janë ndërmarrë masat përkatëse në përputhje me dispozitat ligjore.
Ajo vazhdon me kontrollet e përforcuara dhe apelon drejtuesve të mopedëve dhe motoçikletave që të përdorin detyrimisht helmetën mbrojtëse, të respektojnë rregullat e trafikut dhe të shmangin sjelljet e rrezikshme në trafik, për të siguruar mbrojtjen e sigurisë së tyre dhe të pjesëmarrësve të tjerë në trafik.