Ministrja e Kulturës, Saranda Bogujevci, ka theksuar se Kosova po e përmbush një ëndërr të gjatë me krijimin e një shtëpie të re për institucionet kulturore skenike dhe artistët skenikë, përmes projektit të Teatrit të Operës dhe Baletit.
Në një postim në Facebook, Bogujevci ka njoftuar se ky projekt, i hartuar nga studioja daneze BIG, e udhëhequr nga arkitekti Bjarke Ingels, do të ofrojë një infrastrukturë bashkëkohore, që përfshin katër salla për shfaqje dhe performanca artistike, hapësira për prova dhe përgatitje të artistëve, si dhe ambiente për edukim, konferenca dhe aktivitete publike. “Sot u njoftuam nga ekipi projektues për ecurinë e projektit të Teatrit të Operës dhe Baletit, një prej investimeve më të rëndësishme infrastrukturore për kulturën në Kosovë, që do të ndikojë në zhvillimin e institucioneve tona të arteve muzikore dhe skenike për dekadat që vijnë,” shkruan Bogujevci.
Ky projekt nuk është vetëm një ndihmë për artistët dhe institucionet kulturore, por gjithashtu do të pasurojë ofertën artistike dhe jetën kulturore në vend.
Nga prezantimi, u pa se projekti kryesor është në rrugën e duhur dhe po avancon sipas planit dinamik të paraparë.