Kosova është duke punuar për të forcuar kapacitetet e saj mbrojtëse përmes blerjes së helikopterëve ushtarakë amerikanë.
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, njoftoi se kërkesa për këtë blerje i është dërguar Departamentit Amerikan të Luftës.
Ekspertët e sigurisë e vlerësojnë këtë si një hap të rëndësishëm për forcimin e FSK-së, por theksojnë se vendi ka nevojë për sisteme të tjera mbrojtëse.
Në këtë kontekst, Qendra për Studime Universitare e FSK-së ka marrë riakreditimin pesëvjeçar.
Duke vazhduar me paralajmërimet për blerje të reja të armatimit, Kosova po synon të pajiset me helikopterë ushtarakë për të forcuar kapacitetet mbrojtëse.
Ministri Maqedonci theksoi se procedurat do të realizohen përmes programit amerikan FMS, i cili mundëson blerjen e pajisjeve ushtarake nëpërmjet Qeverisë së Shteteve të Bashkuara.
Ky program koordinon negociatat, prokurimet dhe hapat e tjerë të nevojshëm për blerjen e pajisjeve.
Ekspertët e sigurisë e konsiderojnë këtë nismë si një zhvillim pozitiv për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës.
Hysen Gecaj, një ekspert i sigurisë, shprehet: “Kosova ka nevojë për shumëçka dhe për shumë sisteme të mbrojtjes, jo vetëm helikopterë.
Ka nevojë edhe për mbrojtje kundërajrore, për mjete që përdoren në luftën kundër mjeteve të blinduara, për dronë e të tjera.
Pra, është një gamë e gjerë e armatimeve që i duhen Kosovës.
Sigurisht që secila blerje që paralajmërohet është në interes të shtetit.” Po ashtu, eksperti tjetër Arben Dashevci, e vlerëson këtë zhvillim si të rëndësishëm për avancimin e kapaciteteve të FSK-së.
Ai thotë: “Viti 2026 do të jetë vit i nënshkrimit të shumë marrëveshjeve për plotësimin e kapaciteteve mbrojtëse të ushtrisë së Kosovës, në këtë rast FSK-së.
Andaj, porositja ose edhe vetëm bisedat për pajisje ajrore, konkretisht helikopterë, si dhe për disa pajisje të tjera, janë lajm shumë i mirë për Republikën e Kosovës.” Gjithashtu, ministri Maqedonci njoftoi edhe për një zhvillim tjetër në FSK.
Për herë të parë, Qendra për Studime Universitare e Forcës së Sigurisë së Kosovës ka fituar riakreditimin për pesë vjet, duke kaluar nga akreditimi trevjeçar në atë pesëvjeçar.