Kongresisti amerikan, Keith Self, ka shprehur shqetësimin e tij për protestat në Shqipëri, duke e lidhur këtë fenomen me mosbesimin e qytetarëve ndaj politikës korruptive dhe pakënaqësinë për mosrespektimin e sundimit të ligjit.
Në një postim në rrjetin social X, Self ka theksuar se liderët shqiptarë duhet të dëgjojnë kërkesat e qytetarëve për ndryshime të domosdoshme. “Protestat në Shqipëri janë kulmi i mosbesimit të qytetarëve ndaj politikanëve të korruptuar dhe i lodhjes nga shpërfillja e plotë e sundimit të ligjit”, ka shkruar ai.
Ai gjithashtu ka theksuar se ndryshimet që kërkohen duhet të krijojnë mundësi ekonomike dhe të kontribuojnë në stabilitetin në rajon. “Udhëheqësit e Shqipërisë duhet t’i dëgjojnë thirrjet për ndryshime thelbësore, të cilat do të krijojnë mundësi ekonomike dhe do të nxisin stabilitetin rajonal”, ka deklaruar kongresisti amerikan.