Kritikat dhe Mundësitë e Ligjit për Dhomat e Specializuara në Kosovë

Analistët Imer Mushkolaj dhe Astrit Gashi kanë shprehur kritika ndaj mënyrës se si Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e ka trajtuar Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar, pas kërkesës për kthimin e tij në Kuvend për rishqyrtim.

Në anën tjetër, Sadri Ramabaja dhe Ylli Hoxha kanë vlerësuar se ky zhvillim mund të sjellë aspekte pozitive, nëse ndihmon në përmirësimin e ligjit dhe arritjen e një kompromisi politik.

Analisti Imer Mushkolaj e ka theksuar se zhvillimet e fundit mund të lidhen me një betejë të brendshme politike në PDK, duke ngritur dyshime se ky ligj mund të jetë përdorur si kartë elektorale për zgjedhje të jashtëzakonshme. “Kjo çka ka ndodhur, për mua është një çështje beteje brenda PDK-së.

Se sa që diçka tjetër.

Në fakt, duke e pasur parasysh kthimin e ligjit në Kuvend, atëherë ne mundemi të dyshojmë që ndoshta qëllimi ka qenë të mos votohet dhe të shërbejë si kartë elektorale në zgjedhjet e jashtëzakonshme,” ka deklaruar Mushkolaj.

Ai ka shtuar se ligji mund të jetë hartuar për t’u përdorur në përballjen politike me partitë e tjera, veçanërisht me Lëvizjen Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK).

Mushkolaj ka kërkuar nga PDK-ja të sqarojë se çfarë ka ndryshuar nga 6 tetori, kur ligji u miratua në Kuvend, deri në momentin kur vetë kjo parti kërkoi rikthimin e tij për rishqyrtim. “Ky është një ligj, për të cilin PDK na ka thënë që duhet gjithqysh të votohet, përndryshe nuk e dimë se çka do të ndodhë ose të ndodhë diçka keq.

Ky ligj është votuar edhe prej PDK-së e LVV-së, dhe ka shërbyer si kartë pazari për zgjedhjen e presidentit.

PDK duhet me na tregu se çka ka ndryshuar prej datës 6 tetor kur është miratuar ligji.

Këtë nuk e ka sqaruar askush prej PDK-së,” ka theksuar ai.

Edhe analisti Astrit Gashi ka kritikuar PDK-në për kërkesën që ligji të rikthehet në Kuvend, duke e cilësuar veprimin si të padrejtë ndaj qytetarëve.

Duke folur në emisionin “Debat Plus”, Gashi ka thënë se PDK-ja nuk duhej të kërkonte rikthimin e ligjit, edhe nëse vlerëson se ai ka mangësi. “Kemi të bëjmë me një lojë, e cila është plotësisht jodinjitoze e PDK-së. Është e padrejtë ndaj qytetarëve.

Edhe ligjin e keq nëse e kanë shkruar, PDK-ja nuk është dashur të jetë ajo që kërkon tërheqjen.

Sepse, mos të harrojmë, 21 ditë ka pasur protesta, kërkesa kryesore ka qenë ligji,” ka deklaruar Gashi.

Ndërkaq, analisti Sadri Ramabaja ka vlerësuar se rikthimi i ligjit mund të krijojë mundësi për përmirësimin e dispozitave të tij, veçanërisht në aspektin e të drejtave të njeriut, si dhe për arritjen e një kompromisi të ri politik.

Sipas tij, nëse ligji nuk do të ishte kaq i rëndësishëm, kërkesat për rikthimin e ligjeve në Kuvend do të konsideroheshin procedura normale.

Analisti Ylli Hoxha e ka parë vendimin për rikthimin e ligjit si një mundësi për të shmangur pasoja të mundshme negative për Kosovën dhe për vetë personat që synohet të mbrohen përmes tij. “Përkundër gjithë katrahurës që ka ndodhur me ligjin, unë e shoh një element pozitiv.

Moskthimi i ligjit do të na shpinte në rrugë qorre dhe do të na dëmtonte si Kosovë, por disa prej shterpikave do t’i godisnin edhe ata që do të donim t’i mbronim.

Brenda zgjidhjeve të këqija, zgjodhëm të keqen më të vogël,” ka deklaruar Hoxha.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *