Kryeministri Kurti: Kosova po përballet me sfida në integrimin evropian

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për mediumin francez FRANCE 24, diskutoi për procesin e integrimit evropian të Kosovës, marrëdhëniet me Serbinë dhe sfidat që vendi po kalon në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Kurti shprehu keqardhje që katër vjet pas aplikuar për anëtarësim në BE, Kosova ende nuk ka marrë statusin e vendit kandidat.

Ai theksoi se Kosova është i vetmi vend në Evropën kontinentale që nuk ka këtë status, duke e lidhur këtë vonesë me dinamikat e brendshme në Këshillin Evropian. “Ne jemi të vetmit në Evropë pa statusin e kandidatit.

Kjo ndodh sepse Këshilli Evropian nuk po i kërkon Komisionit Evropian një opinion për Kosovën.

Ne i kemi kryer të gjitha detyrat tona sa u përket indekseve demokratike, sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit, transparencës, lirisë së shtypit dhe demokracisë zgjedhore,” deklaroi Kurti.

Kreu i Qeverisë theksoi se Kosova nuk kërkon rrugë të shkurtra drejt anëtarësimit, por një proces të bazuar në meritë. “Ne nuk duam rrugë të shkurtra, dyer të pasme apo procedura të përshpejtuara.

Duam një proces të bazuar në meritë dhe jemi të gatshëm për këtë.

Jemi të përgatitur t’u përgjigjemi me përkushtim mijëra pyetjeve në pyetësorin që ende nuk na është dërguar,” tha ai.

Kurti shprehu shpresën se në javët ose muajt e ardhshëm, Kosova do ta marrë statusin e vendit kandidat.

Në lidhje me pesë shtetet anëtare të BE-së që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës – Spanjën, Qipron, Rumaninë, Greqinë dhe Sllovakinë – ai theksoi se Prishtina ka intensifikuar bashkëpunimin dhe komunikimin me to.

Ai përmendi disa zhvillime pozitive, duke përfshirë njohjen e pasaportës së Kosovës nga Spanja dhe ngritjen e statusit të zyrës së Kosovës në Athinë.

Megjithatë, ai pranoi se këto zhvillime ende nuk kanë rezultuar me njohjen e pavarësisë nga këto vende.

Sipas Kurtit, mosnjohja nga pesë vendet nuk duhet të jetë pengesë për nisjen e procesit të anëtarësimit, pasi Kosova tashmë ka arritur Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit dhe liberalizimin e vizave me BE-në.

Një tjetër temë e diskutuar ishte kritikat e Komisionit Evropian për reformat në sistemin e drejtësisë, veçanërisht për pavarësinë e gjyqësorit.

Kurti pranoi se ka kritika ndaj sistemit të drejtësisë dhe prokurorisë, por theksoi se reformat kanë nisur.

Ai bëri të ditur se Kosova është pranë themelimit të një byroje për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme. “Ne i pranojmë kritikat e BE-së lidhur me gjyqësorin dhe prokurorinë.

Prandaj edhe kanë nisur reformat.

Jemi pranë themelimit të një byroje për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme.

Nuk mund të kesh një pagë mesatare dhe një pallat të madh, apo disa të tillë,” deklaroi Kurti.

Ai shtoi se vetë procesi i integrimit evropian, përmes hapjes dhe mbylljes së kapitujve dhe grupeve të kapitujve, do ta ndihmojë Kosovën në reformimin e sistemit të drejtësisë dhe administratës publike.

Sa i përket marrëdhënieve me Serbinë, Kurti theksoi se është ende herët për të vlerësuar nëse zhvillimet e fundit politike në këtë shtet do të hapin një kapitull të ri në raportet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Megjithatë, ai ritheksoi se Kosova synon normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Serbinë, duke e vendosur njohjen reciproke në qendër të këtij procesi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *