Kryeministri Albin Kurti në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës ka theksuar se rritja e importeve është e lidhur ngushtë me rritjen e fuqisë blerëse dhe zgjerimin e klasës së mesme në vend.
Duke diskutuar për zhvillimet ekonomike, migrimin dhe situatën në komunat me shumicë serbe, ai tha se gjatë periudhës janar-tetor eksportet janë rritur tri herë më shpejt sesa importet.
Kurti gjithashtu përmendi investimet në Brezovicë, duke shpjeguar se për një periudhë të gjatë ato kanë qenë të pamundura për shkak të ndikimit të Beogradit. “Importet janë rritur, por janë rritur sepse është rritur fuqia blerëse në Kosovë.
Mendoj se është zgjeruar klasa e mesme në Kosovë dhe ky zgjerim vjen nga disa faktorë, një është rritja e pagave, e punësimit, pensioneve.
Gjithashtu, kemi dhënë mjete për ata që kanë më pak.
Prej muajit janar deri në tetor, eksportet janë rritur trefish më shpejt se importet.
Kemi humbur shumë kohë që nuk kemi investuar në Brezovicë, por ta keni parasysh që deri para tri vjetëve ka qenë e pamundur sepse Inex i Beogradit e ka kontrolluar.
Ju e dini se kur ka probleme në Kosovë, shkon në gjykatë, dhe për pesë vjet garanton bllokim.
Duhej të bëhej fiskalizimi dhe një bord i ri, është dashur të bëhet marrëveshje me Beogradin, tash nuk e kemi këtë problem”, tha ai.
Sa i përket migrimit, Kurti theksoi se dy faktorët kryesorë që ndikojnë në këtë fenomen janë arsimi dhe drejtësia. “Gjatë këtyre gjashtë vjetëve qeverisje janë dy shkaqe të migrimit.
Nuk po flas për okupimin nga Serbia e varfërinë ekonomike.
Do ta kemi rrezik migrimin për këta dy faktorë. Është gjendja në komunat tona.
Jam i bindur se në Kosovë jetohet më mirë si qytetar i Republikës se i komunës.
Shumica e komunave i kanë kushtet e tilla, sidomos në zonat rurale.
Një ndër shkaqet kryesore të migrimit është arsimi.
Kjo është sfida jonë e madhe në vitet në vijim”, tha Kurti.
Duke folur për komunat me shumicë serbe, ai theksoi se buxheti për këto komuna është rritur me 50 për qind krahasuar me vitin 2008.
Ai gjithashtu komentoi tensionet që kanë lindur, sipas tij, për shkak të përfaqësuesve të komunitetit serb dhe çështjes së pagesës së energjisë elektrike në veri. “Sa i përket komunave me shumicë serbe, buxheti për to është 50 për qind më i lartë.
Ne e dimë se disa njerëz, kur i humbin privilegjet, e shohin si padrejtësi.
E tash po e shoh që me disa përfaqësues të komunitetit serb e kemi këtë tension.
Askush nuk dëshiron të paguajë energjinë elektrike, por kur fillon në veri të paguhet, i duket padrejtësi sepse është mësuar pa paguar”, përfundoi ai.