Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me zhvillimet politike dhe protestat në Shqipëri, duke theksuar se Kosova nuk duhet të perceptohet si rivale e Shqipërisë.
Ai nënvizoi se protestat në Shqipëri, të cilat ishin paqësore për rreth katër muaj, në muajin tetor u shoqëruan me përplasje më të ashpra mes protestuesve dhe forcave të rendit. “Shqipërinë e duam gjithmonë dhe pavarësisht rrethanave.
Ajo është pjesë e pandashme e qenies sonë kombëtare.
Prandaj zhvillimet atje i përcjellim me shqetësim, me kujdes, me përgjegjësi dhe gjithsesi me dashuri,” tha Kurti.
Ai theksoi se përparimi demokratik i Shqipërisë është një përgjegjësi historike për të gjithë shqiptarët. “Është e rëndësishme që ne shqiptarët t’ia dëshmojmë vetes se dimë të ndërtojmë drejtësi e demokraci që i qëndron trysnisë së kapitalizmit dhe qeverisjeve që nuk i nënshtrohen oligarkisë,” deklaroi ai.
Kurti gjithashtu komentoi zërat që lidhin Lëvizjen Vetëvendosje me protestat në Shqipëri. “Kam parë me habi zëra të ndryshëm që kanë tentuar t’ia faturojnë edhe Vetëvendosjes këto protesta që zhvillohen në Republikën e Shqipërisë.
Por, të dashur delegatë të Këshillit të Përgjithshëm dhe aktivistë e anëtarë të tjerë, ne sot jemi forcë qeverisëse dhe nuk jemi forcë protestuese,” theksoi ai.
Ai shtoi se LVV-ja nuk ka instrumentalizuar protestat dhe as nuk ka pranuar të instrumentalizohet nga të tjerët. “Ne jemi në krye të Qeverisë së Republikës së Kosovës, e Kosova nuk është dhe nuk do të jetë kurrë rivale e motrës së saj.
Ne gëzohemi për avancimet e Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian apo për arritjet e ekonomisë dhe turizmit në Shqipëri,” tha kryeministri.
Kurti shprehu dëshirën që arritjet e Shqipërisë të konsolidohen dhe të zgjerohen përmes projekteve të përbashkëta me Kosovën në fusha të ndryshme.
Duke folur për përplasjet gjatë protestave, ai e quajti shqetësuese dhunën dhe lëndimet e njerëzve, por theksoi se është e rëndësishme të analizohen edhe shkaqet e këtyre përplasjeve. “Por nuk mjafton të përcaktohen vetëm përgjegjësit penalë të dhunës.
Duhet të kuptohen edhe rrënjët e saj, kushtet që ushqejnë atë dhe arsyet që i shndërrojnë kundërshtitë në përplasje.
Rendi publik dhe liria e protestës duhet të mbrohen njëkohësisht,” theksoi ai në mbledhjen e Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.
Ai gjithashtu theksoi rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në vendimmarrje dhe krijimin e kushteve për një të ardhme me dinjitet në Shqipëri. “Ne duam një Shqipëri ku demokracia i mbijeton çdo qeverisjeje, ku institucionet janë më të forta se cilat do forca të padrejtësisë e ku drejtësia është një konventë dhe aksion shoqëror në të cilën liria kombëtare merr kuptim përmes drejtësisë shoqërore,” përfundoi Kurti.