Kryetari i Lëvizjes ZNAM, Maksim Dimitrievski, ka theksuar se, përderisa partia e tij është pjesë e Qeverisë, provimi i jurisprudencës do të mbahet në gjuhën maqedonase, duke respektuar Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.
Duke komentuar kërkesat dhe debatet e fundit për zhvillimin e këtij provimi, Dimitrievski theksoi se pozita e partisë është e qartë dhe e pandryshueshme. “Përderisa ZNAM është pjesë e Qeverisë, provimi i jurisprudencës do të jepet në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën, në gjuhën maqedonase.
Mund të ketë kërkesa, presione dhe spekulime të ndryshme, por qëndrimi ynë është i qartë.
Këto janë vijat tona të kuqe dhe nuk do të tërhiqemi prej tyre,” ka deklaruar ai.
Dimitrievski po ashtu theksoi se partia e tij nuk pranon kompromise që bien ndesh me Kushtetutën dhe ligjet për parimet që përfaqëson.