Personat që janë të privuar nga liria përballen me vështirësi të mëdha në qasjen ndaj kujdesit shëndetësor, përfshirë kontrollet specialistike dhe terapitë e rregullta.
Avokati i Popullit, Faton Selami, thekson se çdo person i privuar nga liria meriton shërbime mjekësore ashtu si çdo qytetar tjetër, dhe se kjo e drejtë nuk duhet të cenohet.
Ai shpjegoi se problemet në sistemin e burgjeve janë të shumëfishta dhe nuk përfshijnë vetëm kujdesin shëndetësor të dobët. “Problemet në sistemin e burgjeve janë komplekse dhe përfshijnë shumë segmente, siç janë kushtet e akomodimit, higjiena, ushqimi, risocializimi, sistemi arsimor e të tjera.
Prandaj, kujdesi shëndetësor është vetëm njëri prej këtyre segmenteve, por do të thoja që një segment shumë i rëndësishëm, pavarësisht nëse bëhet fjalë për kujdesin shëndetësor parësor, dytësor apo tretësor, ose për shërbimet stomatologjike,” deklaroi Faton Selami.
Sonja Trifunovska, zëvendësja e Avokatit të Popullit, kërkon një qasje multidisiplinare për të adresuar problemet në kujdesin shëndetësor në burgje, duke theksuar se një nga sfidat kryesore është mungesa e personelit dhe shpërndarja e pabarabartë e tyre. “Sipas raportit në burgun e Idrizovës, një mjek kujdeset për 691 persona, ndërsa një infermier ose teknik mjekësor për 461 persona.
Qasja te specialistët është e vështirësuar nga mungesa e automjeteve dhe personelit për transport, si dhe vonesat në marrjen e rezultateve diagnostikuese, që mund ta vonojnë trajtimin e nevojshëm mjekësor.
Udhëzimi mjekësor formal nuk është i mjaftueshëm nëse shërbimi realizohet me vonesë,” tha Sonja Trifunovska.
Sipas raportit të Avokatit të Popullit, 7 nga 11 institucionet ndëshkuese korrektuese, që përbëjnë 63.6%, kanë mungesë personeli mjekësor, ndërsa asnjëra prej tyre nuk ofron shërbim 24 orësh.
Një tjetër problem është mbipopullimi i burgjeve, ku 63.6% e tyre janë të mbipopulluara.
Në sistemin e burgjeve mungojnë barnat dhe shërbimet për shëndetin mendor dhe social, ndërsa kontrollet mjekësore për dokumentimin e lëndimeve dhe dyshimeve për dhunë ndaj personave të privuar janë të pakta.