Lëvizja Studentore, e mbështetur nga ekspertë juridikë dhe profesorë të universiteteve, ka shprehur shqetësimin e saj në lidhje me përfshirjen e Komisionit të Venecias në çështjen e provimit të jurisprudencës, pas kërkesës së Qeverisë për vlerësimin e zgjidhjes së propozuar prej saj.
Studentët theksojnë se, pa paragjykuar opinionin që do të japë Komisioni i Venecias, Kushtetuta ua garanton të drejtën, ndërsa Ligji për Përdorimin e Gjuhëve përcakton qartë detyrimin e institucioneve për zbatimin e saj. “Komisioni i Venecias nuk mund të jetë mbi Kushtetutën, mbi ligjin dhe as mbi realitetin politik, historik e shoqëror të Maqedonisë së Veriut.
Roli i tij është këshillues dhe opinioni i tij, cilido qoftë ai, nuk e ndryshon detyrimin e institucioneve për zbatimin e ligjit në fuqi”, thuhet në reagimin e Lëvizjes Studentore.
Sipas studentëve, përfshirja e një organi ndërkombëtar këshillues nuk e shkarkon Qeverinë dhe kryeministrin Hristijan Mickoski nga përgjegjësia për zbatimin e legjislacionit në fuqi. “Ne nuk kemi kërkuar ndryshimin e ligjit, as interpretimin e tij sipas nevojave politike të Kryeministrit.
Kemi kërkuar dhe vazhdojmë të kërkojmë zbatimin e tij në tërësi”, theksojnë studentët.
Lëvizja Studentore i ka bërë thirrje Komisionit të Venecias që gjatë hartimit të opinionit të marrë parasysh specifikat e rendit kushtetues të Maqedonisë së Veriut, frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe argumentet juridike.
Pavarësisht opinionit që do të japë Komisioni i Venecias, studentët paralajmërojnë se nuk do të heqin dorë nga kërkesa për mundësimin e dhënies së provimit të jurisprudencës dhe të provimeve të tjera profesionale në gjuhën shqipe. “Ne nuk negociojmë të drejtat tona.
Kërkojmë zbatimin e tyre!”, përfundon reagimi i Lëvizjes Studentore.