KFOR-i ka dhënë sqarime rreth takimit me ushtrinë serbe, duke theksuar se ky është një pjesë e komunikimit të rregullt.
Përfaqësuesit e Komisionit të Përbashkët për Zbatimin e Marrëveshjes (JIC) të misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, janë takuar të enjten me homologët e tyre nga Forcat e Armatosura të Serbisë (SAF), në kampin “Film City” në Prishtinë.
Në një njoftim të KFOR-it, është theksuar se marrëveshjet ekzistuese vazhdojnë të shërbejnë si një kornizë e qëndrueshme për bashkëpunim dhe koordinim ndërmjet palëve.
Takimi ka shkaktuar reagime të shumta në Kosovë, por KFOR-i e ka sqaruar se këto takime janë rutinore.
Në përgjigjen e tij për Radion Evropa e Lirë, KFOR-i ka nënvizuar se bëhet fjalë për një “takim të rregullt ndërmjet përfaqësuesve të Komisionit të Përbashkët për Zbatimin e Marrëveshjes (JIC) të KFOR-it dhe homologëve të tyre nga Forcat e Armatosura të Serbisë (SAF)”.
Sipas KFOR-it, këto takime janë të zakonshme dhe kanë për qëllim që palët të mbahen të informuara dhe të komunikojnë në mënyrë efektive.
KFOR-i ka theksuar se për vite me radhë, takime të tilla janë mbajtur në lokacione të ndryshme, përfshirë edhe selinë e KFOR-it në Prishtinë.
Duke theksuar rëndësinë e komunikimit të rregullt me të gjithë homologët e tij, përfshirë institucionet e Kosovës, organizatat e sigurisë në Kosovë, Forcat e Armatosura të Serbisë dhe organizatat ndërkombëtare, KFOR-i ka shpjeguar se ky komunikim është thelbësor për parandalimin e keqkuptimeve, uljen e rrezikut të tensioneve dhe trajtimin e shqetësimeve të mundshme të sigurisë. “Këto marrëveshje prej vitesh shërbejnë si kornizë për mbajtjen e kontakteve, komunikimin, bashkëpunimin dhe bashkërendimin ndërmjet KFOR-it dhe Forcave të Armatosura të Serbisë, veçanërisht për çështjet që lidhen me Vijën Kufitare Administrative (ABL) dhe me sigurimin e një mjedisi të qetë e të sigurt për të gjitha komunitetet lokale”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.