Mbrojtja e ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, i ka kërkuar Gjykatës Speciale në Hagë që t’i zgjathet afati për dorëzimin e njoftimit për ankesë deri më 18 janar 2027, lidhur me aktgjykimin që e dënoi atë me 17 muaj burg për rastin e dytë.
Kërkesa është dorëzuar më 25 nëntor 2026 nga avokatja Sophie Menegon, në emër të mbrojtjes së Thaçit, dhe është drejtuar kryetares së Dhomave të Specializuara, gjykatëses Ekaterina Trendafilova.
Aktualisht, afati për dorëzimin e njoftimit për ankesë përfundon më 17 dhjetor 2026, dhe mbrojtja po kërkon 32 ditë shtesë, duke argumentuar se ka katër arsye kryesore që e justifikojnë këtë kërkesë.
E para lidhet me gjatësinë dhe kompleksitetin e aktgjykimit të shpallur më 17 nëntor, i cili ka 399 faqe.
Avokatët e Thaçit theksojnë se aktgjykimi përmban çështje të reja dhe komplekse, të cilat kërkojnë analizë të detajuar përpara se të formulohet ankesë.
Një pikë e rëndësishme e mbrojtjes është se një pjesë e madhe e këtyre çështjeve lidhen me transkriptet e Prokurorisë Speciale, që përbëjnë provat kryesore për dënimet.
Mbrojtja argumenton gjithashtu se interpretimi dhe zbatimi i ligjit të Kosovës, si dhe mënyra se si duhet të ekzekutohet një dënim në raport me një dënim tjetër, janë çështje komplekse që kërkojnë vëmendje të veçantë.
Për më tepër, avokatët nënvizojnë se, ndonëse janë pesë të akuzuar në rastin aktual, Thaçi ka qenë në qendër të çështjes dhe gjetjet e aktgjykimit lidhen kryesisht me përgjegjësinë e tij penale.
Gabimet në këto gjetje mund të ndikojnë në dënimin e Thaçit.
Një tjetër çështje që mbrojtja e sheh si të rëndësishme është procesi i apelit në rastin tjetër, ku Thaçi është dënuar për krime lufte, me afat për dorëzimin e njoftimeve të ankesës deri më 27 nëntor 2026.
Avokatët theksojnë se angazhimi në të dyja rastet kërkon kohë dhe burime të mjaftueshme për përgatitje, dhe shtyrja do t’u garantonte të drejtën e Thaçit për një mbrojtje të duhur.
Mbrojtja gjithashtu thekson se aktgjykimi prej 399 faqesh është dorëzuar në anglisht dhe nuk është përkthyer ende në shqip, gjuhë që Thaçi e flet.
Kjo ndikon në aftësinë e mbrojtjes për të përgatitur ankesën, duke e ngadalësuar procesin.
Arsyeja e katërt për kërkesën e mbrojtjes lidhet me pushimin dimëror të sistemit gjyqësor, ku afati aktual bie vetëm dy ditë para fillimit të pushimit.
Mbrojtja kërkon që ky afat të zgjatet deri më 18 janar 2027, duke theksuar se nuk kundërshton që e njëjta shtyrje t’u jepet edhe të akuzuarve të tjerë dhe Prokurorisë Speciale, për të ruajtur një kalendar të harmonizuar në procedurat e apelit.
Pas analizimit të aktgjykimit dhe përcaktimit të bazave të mundshme të ankesës, mbrojtja mund t’i drejtohet Panelit të Apelit me kërkesë për ndryshimin e kufirit të fjalëve të lejuara për ankesë.
Kërkesa është nënshkruar nga avokatja Sophie Menegon më 25 nëntor 2026 në Paris.