Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, e ka konsideruar si një hap pozitiv reagimin publik të kryetares së Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova, lidhur me ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale, të miratuara nga Kuvendi i Kosovës.
Në një intervistë për RTV Dukagjini, Limaj shprehu se dalja publike e Trendafilovës për të ofruar sqarime është, sipas tij, shenja e parë e efektit të ligjit të ri.
Ai vlerësoi se ky reagim erdhi si rezultat i veprimeve konkrete të institucioneve të Kosovës, duke kritikuar njëkohësisht mënyrën e komunikimit të Dhomave të Specializuara në vitet e kaluara. “Se pari, besoj që ky reagim vjen si pasojë e veprimeve konkrete të Kosovës, ligjit.
Efektet e para dhe shenjat e para të efektit të ligjit janë detyrimi i zonjës Trendafilova për të dalë e për të dhënë këtë sqarim dhe prononcim,” deklaroi Limaj.
Ai theksoi se Trendafilova nuk e ka komentuar drejtpërdrejt ligjin e miratuar nga Kuvendi, por ka ofruar sqarime duke iu referuar bazës ligjore mbi të cilën funksionojnë Dhomat e Specializuara.
Sipas Limajt, kryetarja e Gjykatës Speciale nuk ka të drejtë të interpretojë ligjet e miratuara nga Kuvendi i Kosovës, ndërsa e vlerësoi se ajo ishte e kujdesshme në këtë drejtim në prononcimin e saj.
Limaj e cilësoi këtë reagim si një zhvillim pozitiv, pavarësisht përmbajtjes së deklaratës së Trendafilovës. “Për mua është një hap pozitiv vetë detyrimi i saj me dalë me i dhënë disa sqarime, pavarësisht çka tha.
Tregon efektet e para të ligjit,” u shpreh ai.
Në përfundim, kreu i Nismës Socialdemokrate kritikoi Dhomat e Specializuara për arrogancën, mungesën e komunikimit dhe transparencës ndër vite.
Ai theksoi se institucionet e Hagës duhet t’u drejtohen drejtpërdrejt qytetarëve të Kosovës, në emër të të cilëve ushtrojnë veprimtarinë e tyre.