Maqedonia do të vazhdojë të zbatojë reformat, por nuk do t’i pranojë çështjet dypalëshe si pengesë në rrugën drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian.
Këtë e deklaroi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski, në prag të samitit të sotëm BE-Ballkani Perëndimor në Bruksel, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari lidhur me ngërçin në procesin e integrimit evropian dhe mesazhet e fundit nga Brukseli.
Mickoski tha se nuk pajtohet me mendimin se Shqipëria dhe Mali i Zi po përparojnë më shpejt se Maqedonia. “Nuk do të pajtohesha që ata po ecin përpara.
Nuk mendoj se është pikërisht kështu.
Do të kthehem te deklarata ime për autobusin e lëkundur.
Kështu duket rruga e tyre drejt BE-së në këtë moment, si për Malin e Zi ashtu edhe për Shqipërinë.
Dhe ne po zbatojmë reforma, ne jemi vërtet në krye kur bëhet fjalë për Agjendën e Reformave”, tha Mickoski.
Kryeministri u përmbajt nga komenti i drejtpërdrejtë mbi deklaratën e fundit të Drejtorit të Përgjithshëm për Zgjerimin dhe Fqinjësinë Lindore në Komisionin Evropian, Geert Jan Kopman, i cili vlerësoi se bllokimi i integrimit evropian të Maqedonisë është në Shkup dhe jo në Bashkimin Evropian.
Mickoski e quajti Kopmanin mik të Maqedonisë, duke theksuar se Qeveria e vlerëson shumë kontributin e tij në zbatimin e Agjendës së Reformave.