Pas tri emetimeve të mëparshme, Ministria e Financave ka shpallur një ofertë të re për qytetarët.
Këtë herë, shteti ka për qëllim të marrë hua 100 milionë denarë përmes obligacioneve qytetare, duke ofruar një interes vjetor prej 4,6 për qind në këmbim.
Obligacionet kanë një afat maturimi prej dy vjetësh. Çdo obligacion prej 10 mijë denarësh sjell një fitim prej 460 denarësh në vit për investitorët, duke arritur një total prej 920 denarësh për dy vjet.
Sipas ekonomistit Abil Baush, ky vendim është interesant, sidomos sepse qeveria aktuale, e cila në fillim kishte kundërshtuar këtë instrument, tani ka vendosur të vazhdojë praktikat e qeverisë paraprake. “Është interesant se si kjo qeveri filloi të miratojë të gjitha masat që i kishte edhe qeveria paraprake.
Në fillim ishin kundër emitimit të obligacioneve ose Bono thesare për qytetarët, por tani po e bëjnë këtë. Është një gjë e mirë sepse qytetarët kanë një instrument ku mund të investojnë dhe të fitojnë para,” u shpreh Abil Baush, Ekonomist.
Baush e vlerëson normën e interesit prej 4,6 për qind si një sinjal për kushtet me të cilat shteti mund të sigurojë fonde përmes huamarrjes.
Sipas tij, një interes i tillë ofron mundësi të mira për qytetarët dhe është gjithashtu një tregues i kostos së financimit të shtetit.
Megjithatë, përveç interesit që do të përfitojnë qytetarët, është e rëndësishme të dihet se ku do të përfundojnë paratë e mbledhura.
Në emetimet e mëparshme, obligacionet ishin të lidhura me projekte të caktuara, ndërsa për këtë emetim, Baush thekson se nevojitet më shumë transparencë. “Në shumicën e rasteve ato lidhen me ndonjë projekt, në fillim ishte për një projekt ekologjik, por tani nuk e di për çfarë ju nevojiten.
Ndoshta kanë ndonjë plan për të cilin duhet t’i drejtojnë këto para. Është një gjë që pritet të shpjegohet ku do të shpenzohen paratë, por shpresojmë se nuk do të jenë për qëllime operative,” theksoi Abil Baush, Ekonomist.
Qytetarët mund të regjistrojnë obligacionet në filialet e bankave komerciale deri më 1 dhjetor, ndërsa ankandi është paraparë të mbahet më 3 dhjetor.
Ky është emetimi i katërt i obligacioneve qytetare.
Në tri emetimet e mëparshme, shteti ka siguruar shuma prej 23,5 milionë eurosh, 17,6 milionë eurosh dhe 33 milionë eurosh.