Profesori amerikan Daniel Serwer ka theksuar se Serbia nuk ka mundësi të bëhet anëtare e Bashkimit Evropian pa normalizimin e plotë të marrëdhënieve me Kosovën.
Kjo, sipas tij, nënkupton njohjen e Kosovës dhe shkëmbimin e ambasadorëve midis dy vendeve.
Në një diskutim në podcastin “PIKË” me publicistin Veton Surroi, Serwer shprehu se kushti për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën është i qartë për të gjitha vendet anëtare të BE-së. “Është shumë e qartë për këdo që ka tru në Beograd se Serbia nuk do të hyjë në Bashkimin Evropian derisa të normalizojë plotësisht marrëdhëniet me Kosovën, që sipas meje do të thotë ta njohë dhe të shkëmbejë ambasadorë me Kosovën,” tha ai.
Gjatë bisedës, Surroi theksoi se ky qëndrim është i pranuar vetëm në Washington, duke kujtuar se pesë vende anëtare të Bashkimit Evropian nuk e njohin pavarësinë e Kosovës.
Megjithatë, Serwer shtoi se së paku pesë shtete të tjera të BE-së nuk do ta pranojnë Serbinë në Union pa normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, ndërsa Surroi vlerësoi se ky numër mund të jetë edhe më i madh.
Serwer shprehu shqetësimin e tij për mungesën e përparimit të Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës dhe marrjes së statusit të vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke theksuar se nuk e sheh të nevojshme që kushtet ndaj Serbisë të përsëriten vazhdimisht, pasi ato janë të qarta prej kohësh.