Kompania Rajonale e Mbeturinave “Ambienti” ka njoftuar se, me iniciativë të Kryeshefit Ekzekutiv, Diedon Berisha, i është drejtuar pesë komunave: Pejë, Klinë, Istog, Deçan dhe Junik, për të kërkuar mobilizimin e mekanizimit dhe kapaciteteve operative.
Qëllimi i kësaj kërkese është mbulimi i deponisë sanitare në Sferkë të Thatë.
KRM “Ambienti” thekson se është angazhuar me të gjitha kapacitetet operative dhe mekanizimin në dispozicion, duke realizuar vazhdimisht veprime konkrete për menaxhimin e situatës të shkaktuar nga zjarri dhe mbulimin e zonave të prekura me dhe. “Në kuadër të kësaj iniciative për bashkëpunim ndërkomunal, deri më tani përgjigje pozitive për mobilizim dhe mbështetje me mekanizim kanë dhënë Komuna e Klinës, Komuna e Istogut dhe Komuna e Deçanit, ndërsa mbetet në pritje përgjigjja e komunave të tjera”, thuhet në njoftim.
KRM “Ambienti” njofton se angazhimi i përbashkët është planifikuar për ditën e premte, me synimin për të intensifikuar punimet dhe përshpejtuar procesin e mbulimit të deponisë me dhe.