Mungesa e medikamentit Palbociclib për rreth katër muaj ka sjellë pasojat e rënda për një paciente me kancer të gjirit, e cila nuk kishte mundësi ta blinte vetë barin që arrin deri në 1 mijë e 800 euro.
Organizata Renesansa ka njoftuar se pacienteja, e cila kishte zhvilluar metastaza të reja në tru, ka ndërruar jetë.
Një paciente me kancer të avancuar të gjirit, që kishte gjithashtu metastaza në organe të tjera, ka humbur jetën pasi ka mbetur për rreth katër muaj pa terapinë Palbociclib për shkak të mungesës së saj në Klinikën e Onkologjisë dhe pamundësisë për ta blerë vetë.
Palbociclibi, një medikament i rëndësishëm në trajtimin e kancerit të avancuar të gjirit, ka munguar për një periudhë të gjatë, edhe pse është pjesë e Listës Esenciale të Barnave.
Pacientët që detyrohen ta blejnë vetë këtë bar përballen me kosto të larta, deri në 1 mijë e 800 euro.
Në reagimin e publikuar të mërkurën, organizata Renesansa ka theksuar se pacientja nuk ka pasur mundësi ta sigurojë terapinë për shkak të çmimit të lartë.
Gjatë periudhës pa trajtim, sipas organizatës, asaj iu shfaqën metastaza të reja në tru. “Pardje, pacientja që ishte në terapi me Palbociclib dhe ndihej mirë, por që Palbociclibi mungoi për afër katër muaj, duke pritur çdo ditë që do të kishte furnizim, përfundimisht humbi jetën.
Mungesa e terapisë i solli metastaza të reja në tru,” thuhet në reagimin e organizatës. “Sigurimi i barnave esenciale për pacientët onkologjikë është një detyrë morale për të gjithë, veçanërisht për QKUK-në dhe Ministrinë e Shëndetësisë.”