Komisioni Evropian ka filluar negociatat për përfshirjen e Kosovës dhe pesë vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor në skemën e Bashkimit Evropian “Roam Like at Home”, e cila lejon përdorimin e telefonisë mobile dhe internetit pa tarifa shtesë për roaming.
Në këtë proces janë përfshirë Kosova, Shqipëria, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Kjo nismë ishte paralajmëruar nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës së saj në Ballkanin Perëndimor në tetor të vitit 2026.
Me anë të kësaj skeme, qytetarët që udhëtojnë ndërmjet vendeve të Bashkimit Evropian dhe atyre të Ballkanit Perëndimor do të kenë mundësinë të kryejnë telefonata, të dërgojnë mesazhe dhe të përdorin internetin mobil pa paguar tarifa shtesë për roaming.
Komisioni Evropian ka bërë të ditur se negociatat dypalëshe me vendet partnere kanë filluar tashmë.
Megjithatë, zbatimi i kësaj skeme nuk do të ndodhë menjëherë.
Fillimisht duhet të përmbyllen marrëveshjet përkatëse dhe vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të harmonizojnë plotësisht legjislacionin e tyre me rregullat e BE-së për roaming-un.
Pas përmbushjes së këtyre kushteve, Komisioni Evropian do t’i kërkojë Këshillit të BE-së miratimin për zgjerimin e zonës së roaming-ut për edhe gjashtë vendet e rajonit.
Ndërkaq, në qershor të vitit 2026, Këshilli i Bashkimit Evropian kishte autorizuar fillimin e negociatave për zgjerimin e kësaj skeme.
Marrëveshjet do të mbështeten në Marrëveshjet ekzistuese të Stabilizim-Asociimit, të cilat kanë si synim forcimin e stabilitetit në rajon dhe avancimin e integrimit ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor me Bashkimin Evropian.