Kryesia Qendrore e VLEN-it mbajti mbledhjen e saj të fundit, ku u shqyrtuan zhvillimet politike aktuale dhe u rikonfirmuan prioritetet për periudhën që vjen.
Në një kumtesë për media pas mbledhjes, VLEN shprehet se miratimi në Qeveri i propozimit për provimin e jurisprudencës është një hap historik, pasi për herë të parë parashihet dhënia e provimit edhe në gjuhën shqipe. “I dëgjuam studentët dhe u angazhuam që kjo çështje të marrë zgjidhje institucionale”, theksojnë ata. “Marrëveshja e Ohrit nuk është pronë e ndonjë partie politike.
Ajo është arritje historike dhe rezultat i sakrificës së popullit shqiptar për barazi.
Pas më shumë se dy dekadash pritjeje, përfaqësimi i drejtë dhe adekuat i të gjitha bashkësive etnike duhet të garantohet me ligj.
Miratimi i Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat mbetet një nga zotimet tona kryesore. Është absurde të thirresh në Marrëveshjen e Ohrit dhe njëkohësisht të bllokosh avancimin e saj.
Përgjegjësia për përmbylljen e këtij procesi u takon të gjitha subjekteve parlamentare që deklarohen në mbështetje të Marrëveshjes së Ohrit”, shtojnë ata.
VLEN gjithashtu thekson angazhimin e saj për miratimin e propozimligjit që transformon angazhimin me kontrata në marrëdhënie të rregullt pune, duke siguruar që ata që plotësojnë kushtet të punësohen pa afat të caktuar. “Pavarësisht bllokimit të Ligjit për përfaqësim të drejtë dhe adekuat nga opozita, ne edhe pa mekanizmin e Balancuesit po dëshmojmë se me VLEN-in dyert e shërbimit publik për shqiptarët janë të hapura.
Vendi i punës nuk guxon të jetë mjet për shantazhe politike”, theksojnë nga VLEN. “Decentralizimi, si një nga shtyllat e Marrëveshjes së Ohrit, mbetet prioriteti ynë.
Komunat me shumicë shqiptare tashmë po e ndiejnë mbështetjen financiare përmes projekteve dhe investimeve, pavarësisht se cili subjekt politik i udhëheq”, shtojnë ata. “Partneriteti qeveritar është stabil.
VLEN-i mbetet i përkushtuar ndaj përmbushjes së prioriteteve programore të premtuara para qytetarëve.
Në këtë drejtim, vlerësojmë se efikasiteti i përgjithshëm i Qeverisë aktuale duhet të gjykohet përgjatë një mandati të plotë”, përfundojnë ata.
Raportin e ri të Komisionit Evropian e vlerësojnë si një pasqyrë reale dhe objektive të përparimit dhe sfidave që mbeten.