Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se sot pritet të ketë erë të fortë nga drejtimi jugor dhe jugperëndimor, me shpejtësi prej 30–45 km/h, ndërsa gjatë rafaleve mund të arrijë shpejtësi edhe më të larta.
IHK thekson se intensiteti më i madh i erës pritet nga mesdita deri në orët e mbrëmjes.
Moti do të karakterizohet kryesisht nga vranësira, me reshje të lehta shiu dhe intervale me ndërprerje, ku sasia e reshjeve mund të arrijë deri në 1 mm brenda tri orëve.
Kjo ditë pritet të ketë paqëndrueshmëri më të theksuar atmosferike, sidomos nga erërat e forta.
Temperatura maksimale do të lëvizë nga 15°C deri në 18°C, vlera relativisht të larta për këtë periudhë të nëntorit.
Presioni atmosferik pritet të zbresë deri në rreth 999 hPa.
Në orët e vona të ditës, pritet kalimi i një fronti atmosferik, i cili do të ndikojë në ndryshimin e drejtimit të erës.
IHK ka kërkuar kujdes për shkak të erërave të forta.
Pas paralajmërimit nga IHK, Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca e Kryeqytetit u bën thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar të enjten, më 19 nëntor 2026. “Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), era pritet të fillojë të forcohet sonte, më 18 nëntor.
Të enjten parashihet erë nga jugu dhe jugperëndimi me shpejtësi 30–45 km/h, me shpërthime të herëpashershme të erës që mund të arrijnë shpejtësi më të larta.
Priten edhe reshje të lehta shiu me ndërprerje.
Të premten, më 20 nëntor, era pritet të dobësohet gradualisht gjatë ditës”, thuhet në njoftim.
Drejtoria ka shpallur masat e rekomanduara për qytetarët: * Siguroni vazot, mobiliet e lehta dhe sendet e tjera në ballkone, tarraca e oborre. * Kur era forcohet, shmangni qëndrimin pranë pemëve të mëdha, skelave dhe tabelave reklamuese. * Operatorët e kantiereve dhe subjektet që administrojnë tabela reklamuese të kontrollojnë fiksimin e skelave, rrethojave dhe tabelave para forcimit të erës. * Drejtuesit e automjeteve të përshtatin shpejtësinë dhe të tregojnë kujdes të shtuar në rrugët e ekspozuara ndaj erës. * Ndiqni përditësimet e IHMK-së dhe njoftimet e Kryeqytetit.
Për raportimin e rasteve, kontaktoni Qendrën Operative Emergjente të Kryeqytetit, në shërbim 24/7, në numrat: Për kujdes sot ka apeluar edhe Inspektorati i Punës.
Inspektorati Qendror i Punës (IQP) bën thirrje të gjithë punëdhënësve që të ndërmarrin masa të shtuara për mbrojtjen e sigurisë dhe shëndetit të punëtorëve në vendet e punës. “Vëmendje e veçantë kërkohet në sektorin e ndërtimtarisë dhe në të gjitha veprimtaritë që zhvillohen në ambiente të hapura, veçanërisht gjatë punëve në lartësi, në skela, kulme dhe hapësira të ekspozuara ndaj ndikimit të erërave”, thuhet në njoftim.
IQP-ja u bën thirrje punëdhënësve që të mos lejojnë zhvillimin e aktiviteteve të punës kur kushtet atmosferike paraqesin rrezik për punëtorët.