Presidentja Shiroka-Pula: Kosova meriton trajtim të barabartë në integrimin evropian

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka theksuar nevojën që Kosova të trajtohet njësoj si vendet tjera të Ballkanit Perëndimor në procesin e integrimit evropian.

Ajo ka theksuar se përparimi drejt Bashkimit Evropian duhet të bazohet në meritë dhe në kritere të barabarta për të gjitha shtetet e rajonit.

Gjatë pjesëmarrjes në takimin e Iniciativës Brdo-Brijuni, që po mbahet në Ohër të Maqedonisë së Veriut, Shiroka-Pula u ka bërë thirrje liderëve rajonalë që të forcojnë bashkëpunimin, fqinjësinë e mirë dhe angazhimin për integrimin evropian.

Në fjalimin e saj, ajo ka kritikuar përjashtimin e Kosovës nga Forumi i Zgjerimit të Bashkimit Evropian, i mbajtur më 16 nëntor në Bruksel.

Presidentja ka kundërshtuar gjithashtu lejimin e interpretimit të një kënge me përmbajtje nacionaliste gjatë këtij aktiviteti, e cila, sipas saj, vë në pikëpyetje shtetësinë dhe integritetin territorial të Kosovës.

Ajo e ka cilësuar paradoksale që në një aktivitet të organizuar për zgjerimin e BE-së dhe promovimin e vlerave evropiane, Kosovës t’i mohohet përfaqësimi institucional, ndërsa lejohen mesazhe që kontestojnë realitetin e saj shtetëror.

Sipas Shiroka-Pulës, veprime të tilla nuk ndihmojnë në ndërtimin e besimit, pajtimin dhe marrëdhëniet e mira ndërmjet vendeve të rajonit.

Ajo ka ritheksuar se Kosova nuk kërkon trajtim të privilegjuar, por respektim të parimit të barazisë dhe vlerësim të drejtë në procesin e integrimit evropian.

Presidentja ka nënvizuar se anëtarësimi në Bashkimin Evropian mbetet orientim strategjik i Kosovës, ndërsa mungesa e përparimit drejt marrjes së statusit të vendit kandidat po dëmton besimin e qytetarëve në perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *