Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare ka shpjeguar procedurat që pasojnë pas shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë ndaj katërshes së UÇK-së në Dhomat e Specializuara në Hagë, duke theksuar se procesi i apelimit pritet të zgjasë më shumë se një vit.
Alija ka theksuar se procedurat në Dhomat e Specializuara janë të ndryshme nga ato që zbatohen në gjykatat e Kosovës, sidomos sa i përket afateve dhe mënyrës së paraqitjes së ankesave. “Disa procedura pranë Dhomave të Specializuara dallojnë nga disa procedura që i kemi në Kosovë.
Këtu, pas pranimit të aktgjykimit të shkallës së parë me shkrim, është një afat prej një muaji për ta apeluar në shkallën e dytë dhe aty kryhet procedura e apelimit, pastaj vendos Gjykata me shkallën e ankesës”, ka thënë Alija.
Ai ka sqaruar se në Dhomat e Specializuara, aktgjykimi i shkallës së parë u dorëzohet palëve në të njëjtën ditë kur shpallet, ndërsa ato kanë afate për të njoftuar se cilat pjesë të tij duan t’i apelojnë. “Kur është shpall aktgjykimi i shkallës së parë, po atë ditë i njëjti u është dorëzuar palëve në procedurë dhe të njëjtit kanë afate për të bërë njoftimet për apelim”, ka deklaruar ai.
Sipas Alijës, mbrojtja ka kërkuar zgjatjen e afatit për dorëzimin e këtyre njoftimeve, ndërsa dita e sotme është afati i fundit për t’i paraqitur ato. “Kur është çështja e paraqitjes për apelim, mbrojtja ka kërkuar që ky afat të zgjatet dhe sot është afati i fundit kur mbrojtja duhet t’i dorëzojë ato njoftimet në të cilat pika do ta apelojnë”, ka thënë Alija.
Ai ka theksuar se pas dorëzimit të njoftimeve, mund të caktohet një konferencë para Kolegjit të Apelit, ku palët diskutojnë për pikat që synojnë t’i kundërshtojnë dhe për kohën shtesë që mund t’u nevojitet për përgatitjen e ankesave përfundimtare.
Më pas, pas caktimit të afatit përfundimtar për dorëzimin e dosjeve të apelimit, palët kanë të drejtë të paraqesin përgjigje dhe kundërpërgjigje.
Alija ka theksuar se e gjithë kjo procedurë merr disa muaj kohë, para se të caktohen seancat në Kolegjin e Apelit ku palët paraqesin argumentet e tyre dhe më pas merret vendimi i shkallës së dytë.
Duke krahasuar me dy rastet e mëparshme, ai ka paralajmëruar se procesi ndaj katërshes së UÇK-së mund të zgjasë më shumë, për shkak të vëllimit të madh të materialeve të lëndës. “Në të dy rastet e kaluara ka zgjatur rreth një vit, ndërsa në rastin e katërshes do të zgjasë mbi një vit për shkak të volumit të shkresave të lëndës që e posedon ky rast”, ka deklaruar Alija.