Prokuroria Themelore në Ferizaj ka bërë të ditur se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë caktimin e masës së paraburgimit për të pandehurit T.S., D.M., D.H., R.H., P.R., A.P., F.Z., D.H., dhe B.E., për shkak të dyshimeve për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Mashtrimi kompjuterik” sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Sipas Prokurorisë, ka dyshime të forta se gjatë vitit 2026, deri më 23.10.2026, në Prishtinë, në vende të ndryshme të përshtatura si qendra thirrjesh (call center), si në rrugët “Muharrem Fejza”, “Ali Aliu Kelmendi”, dhe lokacione të tjera të identifikuara, të pandehurit, duke vepruar në mënyrë të organizuar dhe të koordinuar me role të ndara, kanë tentuar të përfitojnë në mënyrë të paligjshme nga pasuria e të dëmtuarve – shtetasit suedezë dhe të tjerë të huaj, duke i mashtruar ata për të kryer veprime që dëmtojnë pasurinë e tyre.
Kështu ata kanë kryer veprën penale “Mashtrimi” sipas nenit 323, paragrafi 4 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.
Gjithashtu, sipas kërkesës së Prokurorisë, ka dyshime se gjatë periudhës së përmendur, të pandehurit, duke vepruar në mënyrë të organizuar dhe të koordinuar, me qëllim të përfitimit të padrejtë ekonomik, kanë krijuar mundësi për qasje në distancë në kompjuterët e të dëmtuarve – shtetas të huaj, duke i mashtruar ata si përfaqësues të kompanive të investimeve financiare.
Kështu ata kanë kryer veprën penale “Mashtrimi kompjuterik” sipas nenit 277, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.