Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj tre personave, të cilët ndodhen në paraburgim që nga 23 marsi 2026, nën dyshimin për blerje, posedim dhe shitje të paautorizuar të narkotikëve.
Sipas aktakuzës, të pandehurit R.B., A.R., dhe B.(Sh)B., duke vepruar në bashkëkryerje dhe si anëtarë të grupit, nga periudha e pavërtetuar deri më 23 mars 2026, në fshatin Gjinoc, Komuna e Suharekës, janë angazhuar në shitjen dhe shpërndarjen e sasive të mëdha të substancës narkotike të llojit heroinë.
Ata kanë komunikuar dhe koordinuar vazhdimisht veprimet e tyre për sigurimin e personave për shitblerjen e narkotikëve.
Gjatë hetimeve dhe zbatimit të masave të veçanta, më 23 mars 2026, policia ka ndaluar automjetin në të cilin të pandehurit kishin fshehur dy paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit heroinë, pesha fillestare e të cilave ishte 1,017.25 gram.
Në shtëpinë e të pandehurit R.B. është gjetur dhe sekuestruar një sasi tjetër e dyshuar heroine, me peshë fillestare prej 806 gramësh.
Sipas raportit të Agjencisë së Kosovës për Forenzikë, dy sasitë e sekuestruara përmbajnë heroinë në përzierje me substanca të tjera, me peshë neto të përgjithshme prej 1,780.13 gramësh.
Po ashtu, gjatë kontrollit në shtëpinë e të pandehurit B.(Sh)B., është gjetur dhe sekuestruar substancë narkotike e llojit kanabis (marihuanë), me peshë neto prej 12.69 gramësh.
Përveç veprave penale që lidhen me narkotikët, të akuzuarit R.B. dhe B.(Sh)B. akuzohen edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas KPRK-së.
Gjatë kontrolleve në pronat e tyre, janë sekuestruar pesë armë zjarri, përfshirë pistoleta, pushkë gjuetie dhe një armë automatike, si dhe gjithsej 549 fishekë të kalibrave të ndryshëm.
Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, ka propozuar gjykatës që, pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor dhe administrimit të provave, të pandehurit e lartcekur të shpallen fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit.
Gjithashtu, Prokuroria ka propozuar konfiskimin e përhershëm të pasurisë dhe sendeve që dyshohet se janë përdorur për kryerjen e veprave penale ose janë përfituar nga kryerja e veprave penale, duke përfshirë: dy automjete (Land Rover dhe Mercedes GLE), disa telefona mobil dhe pajisje elektronike që dyshohet se janë përdorur për komunikim dhe koordinimin e aktiviteteve, substancat narkotike të sekuestruara, armët dhe municioni, si dhe para të gatshme.