Burim Ramadani, anëtar i Komisionit Parlamentar për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, e ka cilësuar vizitën e përfaqësuesve të Listës Studentore të Serbisë në Kosovë si një provokim të rëndë.
Përmes një postimi në Facebook, ai ka kërkuar shpjegime se si këta persona kanë hyrë në Kosovë dhe nëse vizita e tyre është realizuar me autorizimin e institucioneve përkatëse.
Ramadani ka theksuar se, pavarësisht se cilës strukturë politike në Serbi i përkasin, politikanët serbë nuk duhet të lejohen të hyjnë në Kosovë për të nxitur provokime dhe për të fyer shtetin.
Ai gjithashtu ka njoftuar se Komisioni Parlamentar për Siguri ka vendosur t’i kërkojë Ministrit të Punëve të Brendshme një informatë me shkrim lidhur me këtë vizitë.
Si anëtar i këtij komisioni, Ramadani ka kërkuar që informacionet të jenë të plota dhe të sakta, duke theksuar rëndësinë e llogaridhënies nga ana e Qeverisë. “Llogaridhënia e qeverisë është e domosdoshme”, ka shkruar ai.