Komisioni Evropian ka publikuar sot Raportin për Kosovën, ku theksohet se vendi ka shënuar përparim të kufizuar në disa fusha, ndërsa në disa të tjera ka stagnuar.
Raporti tregon se funksionimi i institucioneve demokratike është ndikuar negativisht nga mungesa e qëndrueshme e një Kuvendi funksional dhe vonesat në formimin e Qeverisë, gjë që ka dobësuar mbikëqyrjen legjislative, ka kufizuar mekanizmat e kontrollit dhe balancimit të pushteteve, dhe ka ngadalësuar zbatimin e reformave.
Diskursi politik në Kuvend mbetet tejet i polarizuar, me raste të retorikës diskriminuese, gjuhës së urrejtjes dhe gjuhës seksiste.
Kosova ka mbajtur zgjedhjet lokale më 12 tetor 2025, zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 28 dhjetor 2025 dhe zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 7 qershor 2026.
Të gjitha këto zgjedhje u zhvilluan në mënyrë paqësore, ishin konkurruese dhe u administruan mirë.
Administrimi i zgjedhjeve ka treguar kapacitet të mjaftueshëm për organizimin e procesit të votimit, përfshirë edhe në kushte të afateve të shkurtra.
Pas mangësive në numërimin e votave dhe administrimin e rezultateve, e cila ka karakterizuar procesin zgjedhor të dhjetorit 2025, gjatë zgjedhjeve të qershorit 2026 është vënë re një përmirësim i ndjeshëm në procesin e tabelimit dhe administrimit të rezultateve.
Edhe pse ka pasur përpjekje për politizimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), mekanizmat mbikëqyrës kanë funksionuar në mënyrë efektive dhe përpjekjet për politizim janë zbutur deri në kohën e zgjedhjeve të qershorit 2026.
Kuvendi ka ushtruar kompetencat e tij në një mënyrë të kufizuar, duke çuar në pezullimin pothuajse të plotë të veprimtarisë parlamentare dhe në shpërndarjen e Kuvendit në nëntor 2025.
Kuvendi i ri, i zgjedhur dhe i konstituuar më 11 shkurt 2026, mbeti i brishtë për shkak të mosmarrëveshjeve politike.
Gjykata Kushtetuese ka luajtur një rol të rëndësishëm në tejkalimin e bllokadave dhe rivendosjen e sigurisë juridike, duke nxjerrë disa aktgjykime për konstituimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e një nënkryetari nga komuniteti serb i Kosovës.
Përfaqësimi i grave ka qenë pak mbi kuotën ligjore prej 30%, me 33,33% (40 nga 120 deputetë) pas zgjedhjeve të dhjetorit 2025 dhe 34,2% (41 nga 120 deputetë) pas zgjedhjeve të qershorit 2026.
Megjithatë, nevojiten përpjekje të vazhdueshme për të forcuar pjesëmarrjen e tyre politike.
Komunitetet joshumicë vazhdojnë të përfaqësohen përmes garancive kushtetuese, por pjesëmarrja e tyre herë pas here është lënë në hije nga polarizimi i vazhdueshëm.
Pavarësisht shumicës së fortë të koalicionit qeverisës, ai nuk angazhoi në bashkëpunim strategjik me opozitën, duke bllokuar kështu reformat kyçe për integrimin në BE.
Procesi ligjvënës ka qenë shpesh i paparashikueshëm dhe jo mjaftueshëm gjithëpërfshirës.
Diskursi politik ka mbetur i polarizuar, me mungesë mekanizmash efektivë disiplinorë për të trajtuar retorikën diskriminuese.
Kuvendi duhet të procedojë urgjentisht me emërimin e Sekretarit të Përgjithshëm dhe të përmirësojë cilësinë e legjislacionit dhe procesit të konsultimit.
Qeveria ka emëruar një kryenegociator për Instrumentin për Reforma dhe Rritje, që tregon përkushtimin për integrimin evropian.
Ndërkohë, përparimi në reformat që lidhen me BE-në është i pabarabartë për shkak të paqëndrueshmërisë politike dhe joefikasitetit të Kuvendit.
Kosova ka arritur një nivel të caktuar të përgatitjes në fushën e reformës së administratës publike, por vazhdojnë të ekzistojnë mangësi të konsiderueshme në zbatimin e kuadrit strategjik dhe ligjor.
Gjyqësori ndodhet në një fazë të hershme të përgatitjes, duke u përballur me pengesa të shumta, përfshirë ndikimin politik.
Kosova ka shënuar përparim në luftën kundër krimit të organizuar dhe ka arritur një nivel të caktuar në zhvillimin e një ekonomie funksionale të tregut.
Megjithatë, aktiviteti ekonomik është ngadalësuar dhe sfidat fiskale vazhdojnë të jenë të pranishme, duke kërkuar një qasje më të mirë në menaxhimin e investimeve publike dhe përfitimeve sociale.