Gripi po merr hov në Maqedoni.
Vetëm brenda një jave, janë raportuar 154 raste me grip dhe sëmundje të ngjashme me gripin, duke shënuar një rritje krahasuar me 112 rastet e javës së kaluar.
Numri më i lartë i rasteve është regjistruar në Tetovë, Shkup dhe Kumanovë, sipas të dhënave më të fundit nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP).
Në krahasim me të njëjtën javë të vitit të kaluar, kur u regjistruan 117 raste, numri është rritur me 31.6 për qind.
Edhe pse aktiviteti i gripit është aktualisht i ulët, nga ISHP njoftojnë se “është arritur pragu epidemiologjik për hyrjen në sezonin e gripit”.
Nga 9 deri më 15 nëntor, janë raportuar 49 raste në Tetovë, 38 në Shkup dhe 19 në Kumanovë.
Numri më i madh i pacientëve, ose 102, janë të moshës 15 deri në 64 vjeç, 30 janë fëmijë nën 14 vjeç dhe 22 janë persona mbi 65 vjeç.
Që nga fillimi i sezonit, janë regjistruar 609 raste, krahasuar me 571 në të njëjtën periudhë të sezonit të kaluar.
Vetëm në Tetovë, deri tani janë raportuar 198 raste.
Nga 64 mostrat e paraqitura në laboratorin e ISHP javën e kaluar, katër rezultuan pozitive për gripin e tipit A, dhe tri për koronavirusin.
Që nga fillimi i sezonit, janë konfirmuar 22 mostra pozitive të gripit nga laboratori.
Ndërkohë, Klinika e Sëmundjeve Pulmonare në Kozle po kryen deri në 150 ekzaminime në ditë për sëmundjet e frymëmarrjes, dhe rreth pesëdhjetë fëmijë po trajtohen në spital.
Pacienti më i ri i shtruar në spital është një foshnjë 40 ditëshe.
Dy fëmijë kanë konfirmuar gripin, por asnjëri nuk ka një pamje klinike të rëndë.