Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka shprehur reagimin e tij pas vrasjes tragjike të Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.
Ai ka kërkuar një hetim të plotë dhe të pavarur për veprimet dhe mosveprimet e institucioneve në trajtimin e këtij rasti.
Abdixhiku theksoi se Arlinda kishte kërkuar mbrojtje nga shteti dhe kishte paralajmëruar Prokurorinë për rrezikun ndaj jetës së saj vetëm tri ditë para se të vritej. “Arlinda kërkoi të jetonte.
Kërkoi mbrojtje nga shteti.
Tri ditë para se të vritej, e paralajmëroi Prokurorinë për rrezikun ndaj jetës së saj,” shkruante Abdixhiku.
Ai theksoi se letra e Arlindës, e cila tashmë është bërë publike, dëshmon se ajo kishte kërkuar ndihmë para se të ndodhte tragjedia. “Është e padurueshme të lexosh fjalët e një gruaje që kërkon ndihmë, teksa ndjenë pafuqinë e zanit të saj.
Ato fjalë godasin secilin prej nesh, si prind, si vëlla, si fëmijë, si bashkëqytetar,” theksoi ai.
Kreu i LDK-së kërkoi që të hetohet çdo veprim dhe mosveprim institucional lidhur me këtë rast, duke theksuar se çdo zyrtar i përfshirë në trajtimin e kërkesës së Arlindës duhet të japë llogari. “Secili zyrtar e institucion që e ka trajtuar kërkesën e Arlindës duhet të japë llogari për veprimet që ka ndërmarrë dhe detyrimet që ka lënë pa përmbushur.
Përgjegjësia duhet të ketë emër e mbiemër,” u shpreh Abdixhiku.
Ai gjithashtu shprehu ngushëllime për familjen e viktimës, duke thënë se mbrojtja duhej t’i ishte ofruar Arlindës sa ishte gjallë. “Asaj i detyroheshim mbrojtje sa ishte gjallë.
Për të gjallë, mbrojtje nuk pati!
Tani i detyrohemi drejtësi,” theksoi ai.
Vrasja e Arlinda Zekajt ka shkaktuar reagime të shumta në publik dhe thirrje për llogaridhënie nga institucionet.
Sipas Policisë së Kosovës, viktima ishte raportuar fillimisht si rast i dhunës në familje dhe ishte intervistuar në stacionin policor në Pejë.
Më vonë, policia u njoftua se ajo ishte gjetur pa shenja jete në shtëpinë e saj në Vitomiricë.