Reshjet e Dendura të Shiut Shkaktojnë Probleme në Kukës, Por Shtojnë Nivelin e Ujit në Liqen

Reshjet e mëdha të shiut, të shoqëruara me erëra të forta, kanë shkaktuar probleme në furnizimin me energji elektrike në qarkun e Kukësit.

Qyteti i Kukësit dhe shumica e fshatrave të kësaj bashkie kanë mbetur pa energji elektrike për rreth 7 orë.

Po ashtu, probleme me furnizimin me energji raportohen edhe në bashkitë Has dhe Tropojë, ndërsa reshjet kanë sjellë vështirësi edhe në qarkullimin rrugor.

Në disa akse nacionale janë raportuar rënie gurësh dhe dherash në rrugë, ndaj drejtuesit e mjeteve këshillohen të tregojnë kujdes të shtuar gjatë lëvizjes.

Megjithatë, mes këtyre problematikave të shkaktuara nga moti i keq, ka edhe një zhvillim pozitiv për zonën e Kukësit.

Rritja e reshjeve ka sjellë shtim të prurjeve në liqenin e Kukësit, ku sot, për herë të parë pas gjashtë muajsh, niveli i ujit ka filluar të shënojë rritje.

Kujtojmë se prej rreth dy javësh liqeni kishte arritur në një nivel kritik, duke zbuluar edhe rrënojat e qytetit të vjetër të Kukësit, të cilat zakonisht ndodhen nën ujërat e tij.

Ndërsa pritet përmirësimi i situatës së furnizimit me energji elektrike, reshjet dhe era e fortë vazhdojnë të kërkojnë kujdes nga banorët dhe drejtuesit e automjeteve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *