Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë (QKSS) ka publikuar rezultatet e një ankete kombëtare që mat qëndrimet e qytetarëve të Kosovës ndaj Dhomave të Specializuara në Hagë dhe aktgjykimit dënues ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Sipas rezultateve, 72.1% e të anketuarve shprehin qëndrim negativ ndaj Dhomave të Specializuara, ndërsa 83.5% e konsiderojnë aktgjykimin e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit si të padrejtë.
Hulumtimi, që përfshiu 1,139 respondentë nga të gjitha 38 komunat e Kosovës, tregon se 81.7% e qytetarëve kundërshtojnë pretendimin e gjykatës për të folur në emër të popullit të Kosovës.
Po ashtu, 74% mbështesin shfuqizimin e Dhomave të Specializuara, ndërsa 78% deklarojnë mbështetje për protestat që pasuan publikimin e aktgjykimit.
QKSS thekson se kundërshtimi ndaj kësaj gjykate është më i theksuar mes shqiptarëve të Kosovës.
Sipas të dhënave, 87.7% e respondentëve shqiptarë e konsiderojnë aktgjykimin të padrejtë, 88.7% kundërshtojnë pretendimin e gjykatës për të folur në emër të popullit, dhe 80.2% mbështesin shfuqizimin e saj.
Një tjetër e dhënë e rëndësishme është se 67% e shqiptarëve kanë qëndrim kritik për të katër çështjet e analizuara, që tregon se kundërshtimi nuk është i vakët.
QKSS thekson se pakënaqësia nuk drejtohet ndaj drejtësisë në përgjithësi, por specifikisht ndaj Dhomave të Specializuara.
Të anketuarit shqiptarë që kanë besim në gjykatat e Kosovës janë po aq kritikë ndaj Speciales sa ata që nuk kanë besim në to.
Hulumtimi gjithashtu vëren një lidhje ndërmjet perceptimit të luftës së UÇK-së dhe qëndrimeve ndaj aktgjykimit.
Mes shqiptarëve që besojnë se katër ish-krerët e UÇK-së kanë zhvilluar një luftë të drejtë, 94.7% e konsiderojnë aktgjykimin të padrejtë.
Edhe ata që nuk ndajnë këtë perceptim, 59.4% kundërshtojnë pretendimin e gjykatës për të folur në emër të popullit, ndërsa 53.1% mbështesin shfuqizimin e saj.
Sa u përket respondentëve serbë, QKSS vëren dallime të mëdha mes atyre që jetojnë në jug dhe veri të Kosovës.
Në komunat jugore, 83% e të anketuarve e konsiderojnë aktgjykimin të drejtë, ndërsa në katër komunat veriore, 72.5% e konsiderojnë të padrejtë.
Megjithatë, në veri, pothuajse të gjithë respondentët kanë zgjedhur përgjigjen “nuk e di/nuk kam mendim” për Dhomat e Specializuara, duke treguar se serbët e Kosovës nuk përbëjnë një grup homogjen që mbështet gjykatën.
Shpjegimi i faktorëve që ndikojnë në qëndrimet negative të shqiptarëve përfshin themelimin e gjykatës nën presion ndërkombëtar, kundër vullnetit të shumicës së opinionit publik dhe faktin se përfitimet që lidhen me themelimin e saj nuk janë realizuar.
QKSS thekson gjithashtu mungesën e llogaridhënies së Dhomave të Specializuara para institucioneve të Kosovës dhe shqetësimet për të drejtën për një gjykim të drejtë.
Një faktor tjetër është perceptimi se procesi gjyqësor ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së është një gjykim ndaj luftës çlirimtare, pavarësisht se juridikisht bëhet fjalë për përgjegjësi individuale penale.
Në përfundim, QKSS thekson se kundërshtimi ndaj Dhomave të Specializuara nuk duhet të ngatërrohet me mohimin e vuajtjeve të viktimave të luftës. “Ky është një problem legjitimiteti që kërkon përgjigje institucionale dhe nuk duhet të shndërrohet kurrë në arsyetim për të injoruar cilëndo viktimë të luftës”, thekson përmbledhja e hulumtimit.
QKSS nënvizon se asnjë prej gjetjeve të anketës nuk vë në pikëpyetje vuajtjet e viktimave shqiptare, serbe dhe rome, duke rikujtuar se shumë prej viktimave të përmendura në aktgjykim kanë qenë vetë shqiptarë të Kosovës.