Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin që të krijohen kushtet e duhura për rifillimin e dialogut strategjik me Kosovën, duke përfshirë përmbushjen e angazhimeve të Kosovës ndaj serbëve të Kosovës.
Ndërkohë, Qeveria dhe Presidenca nuk kanë bërë të ditur hapat që do të ndërmarrin për zhbllokimin e këtij procesi, ndërsa përfaqësues të opozitës presin nga qeveria e sapoformuar të ndërmarrë veprime konkrete.
Dialogu strategjik mes SHBA-së dhe Kosovës u pezullua në shtator të vitit 2025 për shkak të shqetësimeve amerikane lidhur me veprimet e Qeverisë së atëhershme, të udhëhequr nga Kurti.
Një zëdhënës i Ambasadës Amerikane në Prishtinë deklaroi se Uashingtoni është i përkushtuar për të avancuar interesat e përbashkëta mes dy vendeve.
Sidoqoftë, sipas tij, për të rinisur diskutimet për dialogun strategjik, duhet të plotësohen kushtet e nevojshme që lidhen me komunitetin serb në Kosovë. “Shtetet e Bashkuara pezulluan për një kohë të pacaktuar dialogun strategjik SHBA-Kosovë në shtator 2025 për shkak të shqetësimeve mbi veprimet që kishte ndërmarrë qeveria e atëhershme në detyrë.
Ne mbetemi të përkushtuar për të çuar përpara interesat e përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës.
Ne presim me padurim të zhvillojmë një dialog strategjik me Kosovën kur kushtet të jenë të përshtatshme, duke përfshirë përmbushjen e angazhimeve të saj nga Kosova në lidhje me serbët e Kosovës”, tha zëdhënësi i Ambasadës Amerikane.
Përfaqësuesit e partive opozitare theksojnë se përgjegjësia kryesore për zhbllokimin e dialogut strategjik me SHBA-në është në duar të Qeverisë, e cila duhet të tregojë rezultate konkrete.
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, shprehu se Qeveria duhet të demonstrojë rezultate të prekshme për të mundësuar zhbllokimin e këtij procesi.
Ai theksoi se presidentja Justina Shiroka-Pula mund të ketë një rol, por përgjegjësia kryesore lidhet me veprimet e Qeverisë. “Presidentja mund ta ketë një lloj roli, por dialogu strategjik me SHBA-në është dhe ka mbetur problem i Qeverisë, për shkak të sjelljes që Qeveria ka vendosur.
Ky suspendim i përkohshëm dhe Qeveria duhet të demonstrojë rezultate të prekshme për me e zhblloku”, tha Haziri.
Deputeti i Aleancës, Burim Ramadani, gjithashtu e theksoi se rifillimi i dialogut strategjik me SHBA-në është i domosdoshëm dhe kërkon një qasje më gjithëpërfshirëse institucionale. “Dialogu strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është domosdoshmëri të kthehet, të fillojë realisht, sepse nuk ka qenë i filluar.
Kjo nënkupton një qasje shumë më gjithëpërfshirëse institucionale, e mbi të gjitha të Qeverisë”, theksoi ai.
Dialogu strategjik mes Kosovës dhe SHBA-së ka për qëllim thellimin e bashkëpunimit dypalësh në fusha të ndryshme, përfshirë ekonominë, mbrojtjen, energjinë, infrastrukturën dhe sigurinë kibernetike.
Ky mekanizëm gjithashtu synon avancimin e marrëdhënieve diplomatike dhe koordinimin për çështje që prekin paqen dhe stabilitetin rajonal.