Javën e ardhshme, Naim Murseli, Granit Plava dhe Kushtrim Kokalla do të paraqiten sërish para gjykatës, këtë herë përballë trupit gjykues në Apel.
Aty do të shqyrtohen ankesat e avokatëve që janë ankuar për vendimin e Gjykatës Themelore, e cila për vrasjen e Liridona Ademajt e dënoi Murselin me burgim të përjetshëm dhe Plavën me 30 vjet burgim.
Gjashtë muaj pas përfundimit të procesit gjyqësor në shkallën e parë, familja e Liridona Ademajt do të duhet të përballet sërish në gjykatë me të dënuarit për vrasjen e saj.
Seanca në Gjykatën e Apelit do të mbahet, pasi avokatët e Naim Murselit dhe Granit Plavës e kanë apeluar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë. “Referuar kërkesës suaj, ju njoftojmë se, seanca e kolegjit të Apelit lidhur me këtë çështje penale është caktuar më 29 tetor 2026, në ora 09:50,” thuhet në njoftimin nga Gjykata e Apelit.
Familja e Liridonës pret që vendimi i Gjykatës Themelore të mbetet në fuqi. “Ne e kemi parë ankesën e të gjithëve.
Sa i përket ankesës së Naim Murselit, ai për gati 3 vite ka thënë se nuk ka qenë i përfshirë në këtë vrasje makabre.
Tash kur kemi një vendim gjykate, ai pajtohet plotësisht me dënimin, por kërkon një dënim më të lehtë.
Prandaj, një krimineli të tillë nuk duhet as t’i besohet dhe as t’i ulet dënimi.
Ne si familje e mbështesim fuqishëm vendimin e Gjykatës Themelore dhe jemi pas saj. Çdo vendim tjetër e cenon dhe e denigron Liridonën dhe të gjitha viktimat e femicidit.
Mesazhi duhet të jetë i qartë, kriminelët duhet të kalben në burg dhe të gjithë ata që tentojnë të ngrisin duart mbi nënat dhe motrat tona t’i pret i njëjti vendim me burgim të përjetshëm,” deklaroi Leonard Ademaj, vëllai i Liridona Ademajt.
Sipas aktgjykimit 124 faqesh të Gjykatës Themelore, me të gjitha provat materiale dhe dëshmitë e dëshmitarëve, është provuar se Naim Murseli, bashkëshorti i Liridonës, kishte organizuar të gjithë vrasjen. “Lidhjen shkakësore mes veprimeve të të akuzuarve dhe pasojës fatale në këtë rast penal, dhe dashjen e lartë të të akuzuarve Naim Murseli dhe Granit Plava, si dhe ndihmën e të akuzuarit Kushtrim Kokalla në privimin e jetës së Liridona Ademajt, e kanë vërtetuar provat materiale,” thuhet në aktgjykimin e Gjykatës.
Naim Murseli dhe Granit Plava u dënuan me burgim të përjetshëm.
Ky i fundit për shkrepjen e armës ndaj Liridona Ademajt më 29 nëntor 2023.
Një vendim ndryshe nga Gjykata Themelore e kërkon avokati i Plavës, Skender Gojani.
Ai tregon se çfarë përmban ankesa e drejtuar në Gjykatën e Apelit: “Ankesa mbështetet në pretendime për shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkelje të ligjit penal, si dhe vendim të gabuar mbi sanksionin penal.
Në kuadër të ankesës kemi paraqitur argumentet tona juridike, duke përfshirë kundërshtimet lidhur me mënyrën e vlerësimit të provave dhe arsyetimin e shqiptimit të dënimit me burgim të përjetshëm.” Përveç Murselit dhe Plavës, që u dënuan me burgim të përjetshëm, Kushtrim Kokalla u dënua me 30 vjet burgim për “Ndihmë në kryerjen e veprës penale Vrasje e rëndë.”