Publikimi i fotografive të fëmijëve në rrjete sociale është bërë një praktikë e zakonshme në përdorimin e platformave digjitale.
Megjithatë, ekspertja e sigurisë kibernetike, Drenusha Salihu, paralajmëron se kjo mund të sjellë rreziqe të mëdha.
Në episodin e dhjetë të podcastit “Rrugëtimi”, ajo u pyet për këshillat që mund t’u jepte prindërve për sigurinë online të fëmijëve.
Përgjigjja e saj ishte e qartë: “Këshilla e parë që i kisha rekomandu është për prindërit vetë mos vendosja e fotografive të fëmijëve të tyre në rrjete sociale.” Salihu e kupton rëndësinë emocionale që ka fëmija për çdo prind, por thekson se fytyra e një të mituri nuk duhet të ekspozohet pa menduar për pasojat. “Është shumë e rëndësishme të mos e ekspozojmë fytyrën e një të mituri,” u shpreh ajo.
Ajo gjithashtu diskutoi një trend të ri të përdorimit të fotografive të fëmijëve në platformat e inteligjencës artificiale për editim, ndryshimin e veshjeve ose krijimin e imazheve të ndryshme.
Sipas saj, problemi qëndron në faktin se përdoruesit shpesh nuk e dinë se çfarë ndodh me fotografitë e ngarkuara. “Kjo është diçka shumë e keqe,” tha Salihu, duke ngritur pyetjen se ku shkojnë fotografitë dhe nëse ato përdoren për mbledhjen e të dhënave.
Ajo u bëri thirrje prindërve që të jenë më të kujdesshëm dhe të mos i ekspozojnë fëmijët ndaj rreziqeve të panevojshme. “Të mos i përdorin fëmijët e tyre si vegla potenciale pastaj për sulme keqdashëse,” ishte një nga mesazhet e saj.
Salihu rekomandoi gjithashtu përdorimin e “parental control” në pajisjet që përdorin fëmijët dhe komunikimin e hapur me ta rreth asaj që bëjnë gjatë kohës që janë online.
Ajo paralajmëroi se edhe lojërat online mund të paraqesin rreziqe, sidomos kur ofrojnë mundësi për komunikim me persona të panjohur.
Sipas saj, ka pasur raste kur persona të rritur kanë tentuar të kontaktojnë fëmijë përmes lojërave që ofrojnë mundësi komunikimi ndërmjet përdoruesve.
Për këtë arsye, Salihu tha se prindërit duhet të jenë “jashtëzakonisht të kujdesshëm”, veçanërisht për shkak se fëmijët mund t’u besojnë më lehtë personave të tjerë online.