Çdo i dhjeti fëmijë i moshës 12 deri në 17 vjeç është viktimë e keqpërdorimit seksual, sipas një hulumtimi të UNICEF-it.
Në Maqedoninë e Veriut, vetëm gjatë tetë muajve të fundit janë evidentuar 25 raste të keqpërdorimeve përmes internetit.
Gonce Jankovlevska nga “Civika Mobilitas” thekson se qëllimi i iniciativave për mbrojtjen e fëmijëve nga keqpërdorimet duhet të jetë jo vetëm sensibilizimi i opinionit, por edhe ndërmarrja e hapave konkretë për parandalimin e këtyre dukurive. “Tashmë nuk flasim për supozime se sa është i lartë numri i fëmijëve që janë në njëfarë mënyre të keqpërdorur në çfarëdolloj forme.
Sepse tashmë ka hulumtime dhe numra, që na habisin.
Dhe falë iniciativave të tilla shpresoj nuk do të mbetet vetëm te pjesa që të jemi të habitur, të flasim disa ditë në fejsbuk për atë se çdo i dhjeti fëmijë, sipas hulumtimit të UNICEFIT, është lëndë e keqpërdorimit seksual, nga 12 deri më 17 vjet”, deklaroi Gonce Jankovlevska, Civika Mobilitas.
Problemi është i pranishëm edhe në vendin tonë, siç dëshmojnë të dhënat e projektit “Internet i sigurt për fëmijët dhe të rinjtë”, i cili zbatohet tashmë për tetë muaj në bashkëpunim me institucionet kompetente.
Liljana Pecova Ilievska nga organizata “Impetus” njoftoi se gjatë kësaj periudhe janë evidentuar 25 raste të ndryshme të keqpërdorimeve dhe rreziqeve në internet.