Paralajmërimi i Limajt: Rreziku nga Gjykata Speciale për Pavarësinë e Kosovës

Kreu i Partisë Socialdemokrate (PSD), Fatmir Limaj, ka paralajmëruar se një vendim i dëmshëm i Gjykatës Speciale në Apel mund t’i ofrojë Serbisë argumente për të nisur një proces të ri gjyqësor kundër Kosovës, duke kontestuar pavarësinë e saj.

Në emisionin “Politiko” në Kanal 10, Limaj ka shpjeguar se një proces i tillë nuk do të thotë domosdoshmërisht se Kosova do ta humbasë pavarësinë, por mund të shkaktojë dëme të konsiderueshme për vendin.

Sipas tij, kontestimi i pavarësisë mund të ndikojë në ndaljen e njohjeve të reja, investimeve të huaja dhe anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Limaj ka theksuar se ky rrezik mund të shfaqet edhe pas tre apo katër vjetësh, prandaj ka kërkuar nga Qeveria dhe opozita që ta trajtojnë këtë çështje me seriozitet.

Ai ka bërë thirrje për angazhimin e ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë, në mënyrë që Kosova të jetë e përgatitur për çdo zhvillim të mundshëm. “Kjo betejë nuk është thjesht për katër vetë”, ka deklaruar Limaj, duke theksuar se në Hagë, sipas tij, nuk është gjykuar vetëm fati i individëve, por edhe qëllimi i luftës.

Ai ka shtuar se beson se, në rast të një vendimi të dëmshëm në Apel, të akuzuarit mund të kthehen shpejt në shtëpi, pasi Gjykata nuk është e interesuar t’i mbajë në burg, por të marrë një certifikatë përmes vendimit të saj.

Limaj ka theksuar se synimi duhet të jetë që ata, kur të kthehen në Aeroportin e Prishtinës, të mos kthehen me atë që e quajti “certifikatë të të dënuarit”, por me “certifikatën e pavarësisë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *