Numri i të prekurve nga gripi sezonal ka shënuar një rritje të konsiderueshme.
Sipas Institutit të Shëndetit Publik, në një javë janë regjistruar 116 raste, që paraqet një rritje gati dyfish nga java e kaluar, kur ishin evidentuar vetëm 61 të prekur.
Tetova është qyteti më i prekur, me 48 raste, ndërsa pas saj vijnë Kumanova me 26 raste dhe Shkupi me 13.
Grupi i moshave më të prekur është ai që përfshin individët nga 15 deri në 64 vjeç.
Një pjesë e qytetarëve, veçanërisht ata nga grupet e rrezikuara, kanë bërë vaksinimin, ndërsa disa të tjerë ende po mendojnë për vaksinat si një masë parandaluese.
Sipas të dhënave zyrtare, deri tani janë vaksinuar gjithsej 11,629 persona nga kategoritë e rrezikuara.
Mjekët apelojnë që qytetarët të mos neglizhojnë simptomat dhe të tregojnë kujdes ndaj shëndetit të tyre.