Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike e Shqipërisë (AKSK) ka njoftuar se disa rajone po përballen me vështirësi në qasjen dhe funksionimin e shërbimeve si Outlook, Teams dhe Azure.
AKSK thekson se, sipas informacionit të marrë nga Microsoft, këto ndërprerje janë shkaktuar nga ngarkesa e lartë në infrastrukturën e kompanisë dhe nuk kanë lidhje me ndonjë incident kibernetik.
Megjithatë, AKSK paralajmëron se kjo situatë mund të shfrytëzohet nga aktorë keqdashës për të mashtruar përdoruesit, duke ofruar ndihmë të rreme për rikthimin e aksesit në shërbime.
AKSK u bën thirrje përdoruesve të tregojnë kujdes të shtuar ndaj: ▪ Email-eve që kërkojnë “rivendosje të fjalëkalimit Microsoft”. ▪ SMS-ve për “llogari të bllokuar” që kërkojnë veprime të menjëhershme. ▪ Telefonatave nga persona që paraqiten si “IT support” dhe ofrojnë ndihmë për rikthimin e aksesit.
Për të mbrojtur të dhënat dhe llogaritë tuaja, AKSK rekomandon: ▪ Mos klikoni lidhje të dyshimta për hyrje në llogari apo rivendosje fjalëkalimi.
Aksesoni shërbimet drejtpërdrejt përmes faqeve ose aplikacioneve zyrtare. ▪ Mos ndani fjalëkalime, kode verifikimi apo të dhëna të tjera konfidenciale dhe mos u jepni akses në pajisjet tuaja personave të paverifikuar. ▪ Verifikoni çdo kërkesë për ndërhyrje teknike me stafin IT të institucionit ose kompanisë suaj.