Asambleja Parlamentare e NATO-s ka theksuar se përmirësimi i situatës së sigurisë në Kosovë duhet të shoqërohet me avancimin politik, forcimin e institucioneve demokratike dhe rritjen e besimit ndërmjet komuniteteve.
Në një komunikatë pas një misioni faktmbledhës në Prishtinë më 28 dhe 29 tetor, parlamentarët e NATO-s kanë nënvizuar se, pavarësisht përmirësimit të situatës së sigurisë, tensionet e vazhdueshme dhe kërcënimet hibride vazhdojnë të jenë sfida për stabilitetin afatgjatë të Kosovës.
Gjatë vizitës, anëtarët e Komitetit Politik të Asamblesë Parlamentare të NATO-s kanë diskutuar me kryeministrin Albin Kurti dhe zyrtarë të tjerë të lartë për qëllimin e Kosovës për të thelluar integrimin euroatlantik dhe për të kontribuar më shumë në sigurinë rajonale dhe atë të aleatëve.
Sipas komunikatës, përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës kanë paraqitur prioritetet strategjike në fushën e mbrojtjes, përfshirë rritjen e investimeve, prokurimin, rekrutimin dhe forcimin e trajnimit dhe ndërveprueshmërisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës me forcat aleate.
Anëtarësimi në NATO mbetet një prioritet strategjik i Kosovës, ndërsa gjatë takimeve është theksuar mbështetja e vazhdueshme politike dhe praktike e vendit për Ukrainën.
Delegacioni ka vizituar gjithashtu Shtabin e KFOR-it, ku ka shqyrtuar zhvillimet në mjedisin e sigurisë dhe rolin e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë.
Asambleja Parlamentare ka bërë të ditur se NATO-ja ka nisur optimizimin gradual të pozicionimit të KFOR-it, bazuar në kushtet në terren dhe përmirësimin e situatës së sigurisë.
Megjithatë, ky proces nuk nënkupton heqjen dorë nga aftësia për të përshtatur praninë e trupave në rast të përkeqësimit të situatës.
KFOR-i vazhdon të ketë një rol thelbësor në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të qetë, duke garantuar lirinë e lëvizjes për të gjitha komunitetet.
Përveç zhvillimeve në fushën e sigurisë, parlamentarët e NATO-s kanë theksuar rëndësinë e përparimit politik, duke nënvizuar se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, mbetet esencial për stabilitetin afatgjatë rajonal.
Në këtë drejtim, ata kanë theksuar se përparimi në procesin e normalizimit dhe zbatimi i zotimeve ekzistuese do të jenë vendimtarë në periudhën e ardhshme.
Asambleja Parlamentare e NATO-s ka vlerësuar se Kosova ka mundësi të avancojë reformat politike, të forcojë institucionet demokratike dhe t’u afrohet më shumë aspiratave euroatlantike.
Ndër prioritetet e identifikuara gjatë vizitës janë forcimi i sundimit të ligjit, mbikëqyrja parlamentare, llogaridhënia institucionale dhe rritja e besimit te komunitetet joshumicë.
Kjo e fundit kërkon mbrojtje efektive të të drejtave gjuhësore dhe pronësore, pjesëmarrje politike dhe qasje në shërbimet publike.
Delegacioni, i përbërë nga anëtarë të Nënkomitetit për Marrëdhëniet Transatlantike dhe Nënkomitetit për Partneritetet e NATO-s, gjatë qëndrimit në Prishtinë, ka takuar ministra, udhëheqës parlamentarë të partive të shumicës dhe pakicës, përfaqësues të komuniteteve joshumicë, zyrtarë të KFOR-it, UNMIK-ut dhe EULEX-it, si dhe ekspertë të pavarur dhe përfaqësues të shoqërisë civile.