Senatorja amerikane Elissa Slotkin ka reaguar mbi protestat dhe rritjen e tensioneve në Shqipëri, duke i bërë thirrje qeverisë shqiptare që të respektojë të drejtën e qytetarëve për protesta paqësore, të parandalojë përdorimin e tepruar të forcës nga policia dhe të ndërmarrë masa kundër korrupsionit.
Në një postim në platformën X, Slotkin ka shprehur shqetësimin e saj për situatën aktuale në Shqipëri, duke theksuar se qytetarët kanë të drejtë të kërkojnë llogari nga përfaqësuesit e tyre të zgjedhur.
Ajo gjithashtu ka njoftuar se gjatë ditëve të fundit ka marrë shumë telefonata nga qytetarë të shqetësuar të Michiganit, të cilët kanë shprehur brengat e tyre për zhvillimet në Shqipëri dhe në vende të tjera europiane. “Populli shqiptar ka të drejtë të protestojë në mënyrë paqësore dhe t’u kërkojë llogari zyrtarëve të zgjedhur prej tij,” ka deklaruar Slotkin.
Senatorja amerikan ka theksuar se autoritetet shqiptare kanë obligim të sigurojnë respektimin e shtetit të së drejtës dhe mbrojtjen e qytetarëve nga përdorimi i tepruar i forcës gjatë protestave.
Sipas saj, qeveria duhet gjithashtu të angazhohet në luftimin e korrupsionit dhe t’u përgjigjet shqetësimeve të ngritura nga qytetarët.
Në përfundim të reagimit, Slotkin u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të tregojnë përmbajtje dhe të angazhohen për uljen e tensioneve, duke kërkuar që situata të zgjidhet përmes rrugëve paqësore.