Pema e Vitit të Ri, me lartësi 13 metra, do të vendoset edhe këtë vit në sheshin e qytetit në Shkup, bashkë me figura të tjera dekorative, që nga 15 dhjetori pritet të sjellin atmosferë festive në kryeqytet.
Qyteti i Shkupit ka shpallur thirrjen publike për të zgjedhur kompaninë që do të zbukurojë qytetin.
Të gjithë operatorët e interesuar mund të aplikojnë deri më 5 nëntor, kur do të bëhet edhe hapja publike e ofertave.
Këtë vit, thirrja është publikuar një muaj më herët se vitin e kaluar, duke e bërë atë në kohë.
Prandaj, pritet që kompania e përzgjedhur të përfundojë zbukurimin e lokacioneve deri më 15 dhjetor, ndërsa heqja e dekorimeve do të bëhet nga 15 deri më 25 janar 2027.
Buxheti për ndriçimin festiv të Shkupit është rreth 3,8 milionë denarë, ose 4,5 milionë denarë me TVSH, që është rreth 73 mijë euro.
Sipas specifikimeve teknike, në shesh do të vendoset një bredh i llojit “Nordika”, që do të jetë kopje e besueshme e një bredhi natyror.
Këtë vit, nuk do të vendoset ariu tredimensional, por një figurë dekorative ndriçuese në formë dreri, rreth katër metra e lartë.
Kjo figurë do të ketë një konstruksion alumini, element dekorativ prej kallami sheqeri në brirë, ndriçim LED me ngjyrë të bardhë të ngrohtë dhe të ftohtë, si dhe efekte dinamike të dritës.
Përveç kësaj, kompania e përzgjedhur do të vendosë një figurë ndriçuese në formë dhurate, mbi gjashtë metra të lartë, dy portale 2D dhe një slitë 3D me dhurata, ku qytetarët do të mund të hyjnë për t’u fotografuar.
Slita do të jetë rreth dy metra e lartë dhe katër metra e gjerë.
Do të vendosen gjithashtu dy balona 3D, secili 3,5 metra i lartë, Babagjyshi, rreth njëqind buqeta me ndriçim LED, si dhe një kurorë e gjelbër festive me shkëlqim për fotografi.
Shkupi do të ndriçohet gjithashtu me drita dekorative në shtyllat e ndriçimit publik dhe varëse ndriçuese në formë akulli.
Ndryshe nga viti i kaluar, kur lokacionet ishin të përcaktuara saktësisht në tender, këtë herë ato nuk janë përfshirë në thirrjen publike.
Lokacionet do të përcaktohen në urdhrin e punës që do t’i jepet kompanisë së përzgjedhur.
Ende nuk dihet nëse rruga “Maqedonia”, e cila vitin e kaluar nuk u ndriçua për festat e fundvitit, do të përfshihet këtë herë, ashtu si bulevardet më të mëdha “Aradhet Partizane” dhe “Ilinden”, apo vetëm pjesa deri te Katedralja, siç ndodhi vitin e kaluar.
Vitin e kaluar, Shkupin e zbukuroi kompania “Link Media Plus”, me një kontratë prej 3.620.000 denarë pa TVSH, ose 4.271.600 denarë me TVSH, që është rreth 70 mijë euro, një shumë pothuajse e njëjtë me atë që do të shpenzohet edhe këtë vit.