Shpëtimi i Dy Bjeshkatarëve Çekë në Majën e Piribregut

Dy bjeshkatarë nga Republika Çeke janë shpëtuar të dielën në majën e Piribregut, e cila ndodhet në kufirin mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut.

Ata kishin mbetur të bllokuar për shkak të motit të keq dhe mjegullës.

Sipas njoftimit nga Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor të Kosovës (ShKShMK), bjeshkatarët, N.F. (1986) dhe K.M. (2004), ishin stacionuar që nga dita e shtunë në një strehimore në lartësinë 2.524 metra mbi nivelin e detit.

Duke parë se kushtet atmosferike nuk ishin përmirësuar dhe mjegulla kishte vështirësuar orientimin, ata kërkuan ndihmë për shpëtim.

Thirrja emergjente u dërgua fillimisht te Agjencia e Menaxhimit Emergjent të Kosovës nga Qendra Rajonale për Menaxhim me Kriza e Rajonit të Pollogut, në Maqedoninë e Veriut.

Pas pranimit të informacionit, ShKShMK aktivizoi ekipin e shpëtuesve malorë, të cilët, në bashkëpunim me Policinë e Kosovës dhe Stacionin Policor në Shtërpcë, arritën te bjeshkatarët.

Pas një vlerësimi të gjendjes së tyre dhe ofrimit të ndihmës së parë, ata u evakuuan deri në Qendrën e Skijimit në Brezovicë.

Operacioni i shpëtimit zgjati katër orë nga momenti i pranimit të thirrjes emergjente.

Më pas, dy shtetasit çekë u transportuan në Shtëpinë e Shëndetit në Shtërpcë dhe iu dorëzuan Policisë së Kosovës për procedurat e mëtejshme.

ShKShMK vlerësoi se njoftimi në kohë dhe koordinimi ndërmjet institucioneve ishin çelësi i suksesit të operacionit.

Gjithashtu, shërbimi u bëri thirrje bjeshkatarëve që, para se të nisen për në zonat malore, të kontrollojnë parashikimin e motit, të vlerësojnë sigurinë e itinerarit dhe t’i përshtatin planet me kushtet në terren.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *