Drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës (AKK), Sazan Ibrahimi, ka shprehur shqetësimin e tij lidhur me ndarjen e 908 milionë eurove për komunat në kuadër të projektbuxhetit për vitin 2027.
Ai theksoi se, pavarësisht rritjes së shumës nominale, pjesëmarrja e pushtetit lokal në buxhetin e përgjithshëm të shtetit ka shënuar rënie.
Në një deklaratë për KosovaPress, Ibrahimi sqaroi se pjesëmarrja e komunave në buxhetin e përgjithshëm ka rënë nga 21.7 për qind në vitin 2026, në 21.3 për qind sipas planifikimit për vitin 2027.
Ai vlerësoi se buxheti nuk duhet të analizohet vetëm përmes shumës së përgjithshme, por edhe përmes fuqisë reale financiare që u mbetet komunave për realizimin e projekteve, veçanërisht atyre kapitale.
Sipas tij, inflacioni, rritja e koeficientit të pagave dhe detyrimet financiare që rrjedhin nga vendimet gjyqësore po ndikojnë negativisht në buxhetet komunale.
Ibrahimi përmendi se vetëm gjatë këtij viti, komunave u janë marrë rreth 100 milionë euro përmes vendimeve gjyqësore, kryesisht për çështje që lidhen me kontratat kolektive.
Ai kërkoi që këto mjete të kompensohen nga niveli qendror dhe jo të mbulohen nga buxhetet komunale.
Një tjetër shqetësim i tij lidhet me mungesën e investimeve kapitale dhe pamundësinë e disa komunave për të përfituar fonde shtesë përmes grantit të performancës, si pasojë e barrës financiare nga kontratat kolektive.
Ndërkohë, drejtori ekzekutiv i AKK-së njoftoi se asociacioni ka dërguar një kërkesë kryeministrit Albin Kurti për një takim me bordin e tij, për të diskutuar këto çështje.
Sipas Ibrahimit, takimi i fundit me kryeministrin është mbajtur në tetor të vitit 2024, ndërsa për kërkesën e fundit ende nuk kanë marrë përgjigje.
Ai gjithashtu ngriti çështjen e moskompensimit të dëmeve nga vërshimet në disa komuna që nga viti 2022, si dhe humbjen e fondeve nga Bashkimi Evropian.
Në një tjetër zhvillim, Qeveria e Kosovës më 2 nëntor ka miratuar projektbuxhetin për vitin 2027, në vlerë prej 4.27 miliardë eurosh, prej të cilave 908 milionë euro janë planifikuar për komunat.
Kryeministri Albin Kurti e cilësoi këtë si buxhet rekord për pushtetin lokal.