Strategjia e PDK-së për Mbrojtjen e Ish-Krerëve të UÇK-së në Hagë

Ushtruesja e detyrës së kryetares së PDK-së, Vlora Çitaku, ka njoftuar për miratimin e strategjisë për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së në fazën e apelit.

Ajo gjithashtu ka bërë të ditur se po hartohet një iniciativë të re ligjore për Dhomat e Specializuara në Hagë.

Në një deklaratë publike, Çitaku tha se draftin e iniciativës së re ligjore e ka pranuar dy ditë më parë dhe se një ditë më pas ia ka prezantuar anëtarëve të grupit strategjik. “Para dy ditësh kam pranuar draftin e iniciativës së re ligjore për Dhomat e Specializuara, të hartuar dhe harmonizuar nga ekspertë juridikë.

Dje, në mbledhjen e radhës të Grupit Strategjik, ua kam prezantuar këtë draft të gjithë anëtarëve të grupit.

Qëllimi i iniciativës sonë mbetet i pandryshuar: të garantojmë një proces të drejtë gjyqësor, respektimin e të drejtave themelore të njeriut dhe mekanizma të mirëfilltë të mbikëqyrjes institucionale, duke respektuar pavarësinë e gjyqësorit,” theksoi Çitaku.

Ajo sqaroi se qëllimi i kësaj iniciative nuk është shmangia apo pengimi i drejtësisë, duke theksuar se kërkesa e tyre është që Dhomat e Specializuara të veprojnë në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe parimet e një procesi të drejtë gjyqësor. Çitaku njoftoi se iniciativa e re ligjore do të procedohet së shpejti në Kuvendin e Kosovës, me synimin që të miratohet në të dyja leximet gjatë muajit dhjetor. “Iniciativa e re ligjore do të procedohet në Kuvendin e Kosovës shumë shpejt.

Para procedimit do t’i takojë të gjithë drejtuesit e partive politike shqiptare të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës.

Disa prej tyre i kam takuar.

Dua që së bashku të diskutojmë për peshën e këtij uniteti dhe përgjegjësinë e përbashkët në këtë betejë shtetërore,” tha ajo. Çitaku po ashtu njoftoi se do të takohet me përfaqësues të shoqatave të dala nga lufta, përfshirë OVL-UÇK-në, si dhe me organizata të shoqërisë civile, ekspertë juridikë, akademikë, diplomatë dhe zyrtarë të vendeve partnere perëndimore. “Synimi ynë është që iniciativa e re ligjore të miratohet në të dyja leximet gjatë muajit dhjetor,” theksoi ajo.

Ndërkohë, ajo njoftoi se grupi strategjik ka miratuar edhe strategjinë për mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së në fazën e apelit.

Sipas saj, ky dokument është hartuar me kontributin e ekspertëve, institucioneve dhe përfaqësuesve të të gjitha partive parlamentare shqiptare në Kuvendin e Kosovës. “Tashmë kemi një dokument të përbashkët, mbi bazën e të cilit shteti i Kosovës do të organizojë angazhimin e tij në këtë proces,” tha ajo. Çitaku gjithashtu u ndal te debatet dhe kritikat e javëve të fundit, duke theksuar se PDK-ja do të vazhdojë ta ketë prioritet mbrojtjen e ish-krerëve të UÇK-së që po përballen me procesin gjyqësor në Hagë. “Për PDK-në, mbrojtja e çlirimtarëve në Hagë është prioritet absolut, me çdo çmim dhe me të gjitha mjetet që kemi në dispozicion,” përfundoi Çitaku.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *